Nga Podgorica, ku takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Edi Rama e “thumboi” sërish kreun e ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, që dje nuk e priti në takim duke i mbyllur derën. Rama tha se Albin Kurti nuk pranon që të trajtojë çështjet në veri të Kosovës duke biseduar, por i vetëm. Megjithatë, e ftoi që në mes të korrikut të vijë në Tiranë.
“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Unë shkova për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë. Në mënyrën më absolute nuk kam asnjë problem personal apo institucional. Kam vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar.
Kaq. Dhe këtë e përjetojmë ndryshe. Unë e përjetoj se duhet ta trajtojmë bashkë, Albini e trajton pa u ulur dhe biseduar. Unë nuk jam këtu për të bërë interpretime të natyrës psikologjike apo folklorike. Në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i BE-së, për procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar.
Dëshiroj që të jemi të gjithë bashkë, të gjashtë, edhe nëse nuk duan ta ftojnë në vende të tjera. Në Tiranë është në shtëpinë e vet, madje mund të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë” tha Rama.
Gazetarët nguluan sërish te nisma e Ballkanit të Hapur që u mbyll. “Ballkani i Hapur nuk është kompania ime private, që unë e hapa dhe mbyll. Është një nismë e përbashkët e disa vendeve. Unë kam pasur privilegjin të jem pjesë. Dhe një menjëherë të kthehesha, prapë do ta hapja këtë inciativë. Thjeshtë kam shprehur opinionin tim” tha ai.