Lulzim Basha u ka shpallur luftë të gjithëve sot në Kuvend. Krejti kundërt me Lulzim Bashën e 9 shtatorit, kur e “vrau” Berishën pasi i bëri gati lapidarin, sot i shkatërroi edhe lapidarin dhe e flaku bashkë me Ilir Metën dhe Edir Ramën. Ndërtoi një trinom që i dha emrin e vendit më të rrezikshëm në glob, Trekëndëshit të Bermudës.
“Thuaj të ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën, thuaj. Bëj foltore dhe ti, bashkohu me ta dhe bëni një trekëndësh dhe qani hallet”, iu drejtua Ramës duke iu drejtuar në fakt edhe Berishës, madje edhe Metës, që deri tani nuk ka shprehur publikisht asnjë armiqësi me Bashën. Nuk mbaroi me kaq. Në fund të replikës me Ramën, Basha paralajmëroi që të tre këta, jo vetëm do të largohen, por edhe do të përgjigjen përpara publikut.
“Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara. Shpëtim, nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një brinjët e trekëndëshit të Bermudës do të bien. 15 veta që kontrollojnë tranzicionin do të japin llogari politikisht.”
Me këtë deklaratë, 9 shtatori bie dhe nis një betejë e re. Lulzim Basha, i kërcënuar nga mbledhja e firmave për Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe denoncimet e foltores, i ndarë me aleatin parazgjedhor dhe ish-kryetari Ilir Meta, i gjendur përballë Ramës me gjysmë-parti, vendosi më në fund t’u shpallë luftë të treve. Në një linjë të menduar mirë, i quajti ata politikanë të tranzicionit, fajtorë për varfërinë dhe abuzimet, bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit.
Mund të jetë fillimi i një beteje të madhe, apo është vetëm një tentativë e guximshme për t’i shpëtuar “Trekëndëshit të Bermudës”? Në favor të versionit të parë, janë edhe denoncimet që Kryetari i PD-së u bëri me emër biznesmenëve që kanë përfituar shifra të frikshme nga fondet publike. “Tani Salillari 1.81 miliardë lekë, Alko Impleksi, nipat e Sadri Abazit 306.4 milionë, Bami 639 milionë, Start Tek 567 milionë. Geci 970 milionë , MANTCI 1.83 miliardë lekë, ndërtim montim Patos i inceneratorit të Fierit 447.2 milionë lekë, Alb Star i kullës së stadiumit 415 milionë lekë, Fusha 334 milionë lekë. Këto janë klientët ku ndan paratë ti. Çfarë?! Këto janë pra lekët e shqiptarëve ku i çon”, tha Basha që 2 javë më parë përmendi edhe Samir Manen dhe Çet Kastratin.
Parë kështu duket sikur Lulzim Basha është distancuar përfundimisht nga kasta politiko-ekonomiko- kriminale që drejton vendin. I vetëm kundër të gjithëve, i akuzuar si peng i Edi Ramës nga Berisha, si gjobaxhi nga Edi Rama, si bashkëpunëtor i Ramës dhe Sorosit nga Ilir Meta, ndërsa stuhia brenda partisë shtohet, nuk është çudi që Basha ta shohë largimin nga të gjitha pikat e “Trekëndëshit të Bermudës” si të vetmen rrugëdalje.
Është koha kur i ka mbështetur të gjitha shpresat te mbështetja e SHBA-ve, kur pretendon se është më i fortë se kurrë ndërkombëtarisht pas pezullimit të Berishës. Kjo e sotmja tregoi se nuk po kërkon helikopterin për t’u evakuuar, por bombarduesin për të trimfuar, njëherësh kundër të gjithëve.
E sotmja reflekton mendimin e shumicës së shoqërisë, që prej kohësh kërkon të shpëtojë nga kjo klasë politike dhe bashkëpunëtorët e saj në biznes dhe në krim, të shpëtojë nga keqshpërndarja e pasurisë publike dhe nga korrupsioni që ushqehet nga keqshpërndarja për t’ja shpërblyer disafish nderin. Në këtë kontekst kjo është një betejë e fituar, një rrugëdalje përfundimtare nga tranzicioni që simbolizohet me “Trekëndëshin e Bermudës”, Berisha-Rama-Meta.
Ka vetëm dy probleme:
E para se vjen nga një politikan që është, jo vetëm pjellë e sistemit, por edhe pjesë e tij. Që ka bashkëjetuar me Trekëndëshin, aq sa nuk kuptohej nëse pjesa e tretë ishte ai apo Berisha.
E dyta se kjo luftë ndaj sistemit, vjen në një kohë kur sistemi po punon kundër tij. Nuk ishte Lulzim Basha që i shpalli luftë sistemit, por sistemi Lulzim Bashës, duke e nxjerrë pa votat e mjaftueshme në 25 prill dhe sigurisht duke u reshtuar me Berishën, pikërisht atëherë kur duhej më shumë.
Kështu përpjekja e Bashës, duke përdorur anijen e gatshme antisistem dhe bombarduesit amerikanë, është e vonuar për ta shpëtuar nga “Trekëndëshi i Bermudeve”. Sepse anija anti-sistem është keqpërdorur disa herë dhe tani fut ujë, sepse kapiteni i ri nuk është trajnuar për anije të tilla dhe në fund, sepse bombarduesit amerikanë vërtetë janë ngritur, por nuk kanë ndërmend të sulmojnë pa miratimin e Edi Ramës.