Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur që të ngreje tre komisione hetimor për çështjet që janë konsideruar si më të rëndësishmet nga Partia Demokratike. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të nisur në orën 16:00, ku munguan deputetët Flamur Noka dhe Edi Paloka, Basha vendosi që të ngrejë tre komisione hetimore, për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit, për çështjen e gjobës që i duhet paguar biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe për çështjen e inceneratorëve.
Jorida Tabaku do të jetë kryetare e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur që kryetar për Komisionin e hetimit të zgjedhjeve të 25 prillit të jetë Enkelejd Alibeaj, kurse kryetar për Komisionin hetimor për çështjen e gjobës që i duhet paguar biznesmenit italian Francesco Becchetti do të jetë Gazment Bardhi.
I pranishëm në mbledhje, Basha ka bërë me dije se do të kërkojë edhe uljen e TVSH-së për produktet e shportës, nga 20 në 6%. Ai mësohet të jetë shprehur se buxheti që sipas tij përdoret nga klientët dhe oligarkët e pushtetit, duhet të orientohet një orë e më parë nga nevojat e familjeve shqiptare.
Në një prononcim për mediat, për përfundimit të mbledhjes, Basha tha se ky është fillimi i një ofensive parlamentare. Kreu i PD-së fjalimin e tij e ka përqendruar te gjendja e keqe ekonomike në të cilën ndodhen shqiptarët. Basha ka cituar të dhënat e marra nga INSTAT, në të cilat thuhet se gjendja me të cilën përballen 97% e shqiptarëve është e mjerueshme. Basha u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të bëjnë punën e tyre, pavarësisht pushtetit.