14 shtator 1943 -Ngjarje unikale që do të vulosë në historinë tonë kombëtare një nga momentet kulminante të luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare.
Vlerat patriotike dhe liridashëse të popullit të Fierit u shprehën fuqishëm edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ku një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e atdheut dhanë edhe gratë dhe vajzat. Shembulli i 14 shtatorit të vitit 1943 është unik jo vetëm për Shqipërinë, por ndoshta edhe për rajonin më gjerë. Në një ditë të vetme, 68 gra dhe vajza, bija të qytetit të Fierit, pavarësisht formimit kulturor dhe origjinës shoqërore hynë në mënyrë vullnetare në radhët e rezistencës partizane, duke treguar një shembull qytetarie dhe emancipimi shoqëror.Në Fierin e pushtuar nga gjermanët dhe në gjendje shtetrrethimi, 68 gratë dhe vajzat fierake, u mblodhën në shtëpitë e patriotëve Xhemil Muço dhe Zoi Deçolli. Më pas në mënyrë ilegale të ndihmuar nga njësitet guerrile dhe sipas një plani të organizuar mirë, ato kaluan në orët e pasdites lumin Gjanica, duke u grupuar fillimisht në lindje të qytetit, në Sheq të Vogël. Prej atje përgjatë kënetës së Sheqit kapërcyen me lundër lumin Seman duke kaluar në fshatin Kallm, ku kaluan një nate qëndrimi në shtëpitë mikpritëse të familjeve vendase. Të nesërmen grupi vijoi rrugën drejt Ngurzës për të përfunduar në Belsh të Dumresë. Prej këtu ato u caktuan dhe u shpërndanë në formacionet partizane të UNÇSH në zona të ndryshme si në Kuçovë, Berat, Skrapar, Myzeqe dhe Mallakastër, ku kryen detyra nga më të të ndryshme, në prapavijë dhe vijën e parë. Midis emrave të tyre do të spikasnin edhe vajza që ranë në altarin e lirisë si, Heroina e Popullit Liri Gero apo dëshmoret e atdheut Pinallopi Pirro, Taze Çela dhe Feride Bega.
Përulem me respekt para veprës dhe sakrificës së tyre!