Protesta për krizën ekonomike në Greqi, qytetarët përleshen me policinë; arrestohen disa persona
Greqia është përfshirë nga një grevë 24 orëshe pasi qytetarët janë ngritur për shkak të krizës ekonomike.
Mediat greke raportojnë se në protestë u përfshinë, sindikatat e sektorit privat GSEE dhe të atij shtetëror ADEDY, Qendrat e Punëtorëve të Athinës, Selanikut dhe qyteteve të tjera si dhe sindikata që mbështet Partinë Komuniste greke PAME.
Protestat kanë degjeneruar në dhunë, ku ka pasur përplasje me efektivët e policisë.
“ERT”, shkruan se edhe punonjësit e medias hynë në grevë 24-orëshe, po ashtu dhe punonjësit e spitaleve publike, profesorë e mësues, si dhe zyrtarë të gjykatës.
Gjithashtu, në grevë marrin pjesë dhe punonjësit e ministrive, të Tatimeve, të qeverisjes vendore, të fondit të sigurimeve dhe urbanistikës, ndërkohë që kanë deklaruar pjesëmarrje dhe punonjës të sektorit të turizmit-hotelierisë dhe Federata e Punonjësve Privatë të Greqisë.
Më herët, jashtë Kuvendit, persona të panjohur dhe të maskuar hodhën bomba molotovi drejt policisë. E njëjta skenë ka ndodhur edhe në qendër të Selanikut, kur personat pjesëmarrës në marshim kanë sulmuar forcat e policisë. Ndërkohë, policia për t’i zmbrapsur, është kundërpërgjigjur duke përdorur dhe gaz lotsjellës.
Sakaq, mësohet se disa persona janë shoqëruar në polici.