Nga Vladimir Muçaj:
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e arsyetuar sa i takon prokurores së Tiranës, Alketa Zifla, e cila është shkarkuar nga detyra në qershor të këtij viti, pasi nuk mundi ta kalonte procesin e vetingut. Sipas asaj që thuhet në vendim, KPK gjatë hetimit konstatoi përfitimin e një kredie të butë nga Bashkia e Fierit, kryebashkiak i atëhershëm Baftjar Zeqaj, aktualisht deputet i zgjedhur i Rroskovecit Qarku Fier. Prokurorja kishte vendosur mosfillimin e hetimit mbi zyrtarët lokalë që akuzoheshin për shpërdorim detyre në ndarjen e banesave sociale. Gjithashtu në vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar kryerjen e veprimeve fiktive për përfitimin e kredisë. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi vlerësoi çështjen në tërësi në kuptim të nenit 4 pika 2, bazuar në provat e administruara si dhe rekomandimin e relatorit të çështjes, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, znj. Alketa Zifla, ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive/të simuluara, të cilat nuk përputhen me sjelljen etike që një magjistrat/prokuror pritet të ketë, duke cenuar për rrjedhojë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë; ka mungesë të burimeve të ligjshme për të përballuar shpenzimet në vitin 2017, duke rezultuar me pamjaftueshmëri në shumën – 904 448 lekë. Për këto arsye, trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, bazuar në pikën 5 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016, pasi u mblodh në dhomë këshillimi, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, znj. Marie Tuma, bazuar në nenin 58, pika “c”, si dhe 61, pika 3 dhe 5 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Alketa Zifla, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në vendimin e arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.