KOLAZH POETIK PER GRATE
( 8 Marsi – dita nderkombetare e grave) TI, NËNA IME!
Ti, fisnikja ime, kurrë s’hyre në floktore
Të ngjyje flokët me bojë kimike të rëndë
As thonjtë s’i zgjate dhe kurrë s’i mbolle
Natyralë i mbajte, pastër, të argjendë.
Ti kurrë s’shkove plazheve për ngjyrë
As llixhave për të hequr reumatizmën
Kurrë s’përdore rimel e krem në fytyrë
E mbi tetëdhjetëvjeçare akoma je shndritshëm.
Nuk njohe butiqe me rroba të shtrenjta e marka
As emrin s’ua ke dëgjuar kurrë në jetë
Por veshjen tënde, o fjalëmbla ime shamibardha
Çdo pasarelë ta dish e duartroket.
Ti nuk pate nevojë asnjërën prej tyre
Asnjëra prej tyre nuk të është dashtë
Ti pëlqeve në jetë vetëm një lloj ngjyre
Shpirtin e fytyrën të mbaje të bardhë. NËNËS
Zemërbardha ime sa shumë je lodhur
Netëve pa gjumë për një dhimbje timen.
Në kohën kur kishe nevojë për t’u shlodhur
Si fëmijë çapkën të ngacmoja shpinën.
Shpirtmadhja ime, t’i kam shtuar plagët
Duke më pritur pa vënë gjumë në sy.
Kur kthehesha nga shkolla ime e largët,
Kur s’të thoja vonohem pas pune në kthim.
Fisnikmadhja ime me flokë të bardha.
Mbuluar flokët e pastër me shami të bardhë.
Të bardha të mbetën në vite fjalët e arta.
E bardhë dhe dashuria nënë-djalë.
Të dua shumë, nënëlokja ime tetëdhjetëvjeçare
Me dritën e diellit e bukurinë e hënës.
Je Monumenti më i madh që bota ka parë
Ke imunitetin e përjetëshem të nënës. PER JU GRA
Dje u shua një nënë,
një tjetër akoma në koma
jep e merr me jetën.
Jo mosha, bakteriet,
as “sëmundja e keqe”.
I vrau arma jonë heshtje.
Heshtja vret,
Heshtja ime, e jotja,
e ligjit mbi dorën vrastare të burrit,
heshtja mbi varfërinë
pabarazinë
mbi largimin e fëmijëve
djegur prej mallit.
Heshtja juaj gra, heshtja jonë godet
më shumë se plumb
në lule të ballit.
Sot, të paktën
në vend të luleve e mimozave
mendoni më shumë për veten,
kërkoni atë që burrat s’u japin në jetë
Lirinë e Barazinë.
Me grushtin migjenian goditeni,
shëmbeni atë mal pabarazie
që e ndot njerëzinë. DORA E NENES
Më thoni keni parë më të magjishme
Se dorën e nënës, a keni parë?!
Kur koka të dhëmb me të sajë prekje
Ballin të freskon si më i miri barë.
Më thoni vallë-a keni parë?!
Më thoni keni parë më të magjishme
Se dorën që na krehu flokët?!
Atë dorë të butë e të dhimbëshme
Të vetmen unikale në gjithë botën.
Më thoni vallë-a keni parë?!
Më thoni keni parë më të magjishme
Se dorën përshëndetëse që shihej larg?!
Atë dorë që në jetë të jetëve
Si në pëllëmbë të dorës na mban.
Më thoni vallë-a keni parë?! GJITHÇKA NDRYSHON
Venbanimi
Ngjyra e shtëpisë
Orenditë
Lulet në oborr.
Mosha,
Ngjyra e flokëve
Rrobat
Makina,
Gjithçka ndryshon
Por vetëm një
Dhe vetëm një:
Meraku i nënës
Përjetësisht
Qëndron