Kina hedh poshtë raportin e inteligjencës amerikane mbi origjinën e Covid-19, thotë se është ‘i fabrikuar’ qëllimisht
Raporti i inteligjencës amerikane mbi origjinën e Covid-19, që nuk përjashtoi mundësinë që ai të ketë dalë nga një laborator nuk ka asnjë lidhje me shkencën dhe ka për qëllim ‘goditjen’ e Pekinit, tha ambasada kineze në Uashington.
Në maj, Presidenti amerikan Joe Biden i dha komunitetit të inteligjencës amerikane 90 ditë për të gjetur burimin e koronavirusit.
Rastet e para të shpërthimit të Covid-19 u regjistruan në qytetin kinez Wuhan në dhjetor 2019 dhe Uashingtoni fajësoi Kinën për pandeminë, e cila deri më tani ka infektuar mbi 215 milionë persona në mbarë botën dhe ka vrarë më shumë se 4.4 milionë njerëz përreth globit.
Paraardhësi i Biden, Donald Trump, në mënyrë të famshme iu referua Covid-19 si ‘virusi kinez’, pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme nga Pekini.
Raporti i shumëpritur i inteligjencës u bë publik të premten. Rezulton se agjencitë spiune amerikane mbeten ‘të ndara’ në origjinën e koronavirusit, me dy hipotezat kryesore që janë ‘ekspozimi natyror ndaj një kafshe të infektuar’ dhe ‘një incident i lidhur me laboratorin’.
Pekini e quajti raportin të fabrikuar dhe jo të besueshëm shkencërisht.
“Një raport i fabrikuar nga bashkësia e inteligjencës amerikane nuk është shkencërisht i besueshëm,” tha ambasada kineze në SHBA në një deklaratë vonë të premten.
“Gjurmimi i origjinës është çështje shkencore; duhet dhe mund t’i lihet vetëm shkencëtarëve, jo ekspertëve të inteligjencës.”