Këshilli i Evropës: Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim për të luftuar korrupsionin dhe pastrimin e parave
Shqipëria nuk ka përmirësuar ndjeshëm masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e Task Forcës Financiare FATF, zbulon MONEYVAL në një raport të botuar ditën e sotme. Si rezultat i vlerësimit të bërë në vitin 2018, Shqipërisë iu kërkua të raportonte te MONEYVAL njësi e Këshillit të Evropës që merret me krimin financiar. Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet e synuara financiare, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare.
MONEYVAL ka ekzaminuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi. Ai zbuloi se vetëm disa hapa pozitivë ishin ndërmarrë nga autoritetet në lidhje me sanksionet e synuara financiare, të cilat nxitën që vlerësimi për Rekomandimin 6 të FATF të ndryshonte nga “jo i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”. Raporti pasues gjithashtu përfshiu zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale si (Bitcoin, Ethereum, etj.) Dhe ofruesit e këtyre aktiveve. Vlerësimi i Shqipërisë për zbatimin e këtij Rekomandimi është ulur nga “kryesisht i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”. Vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara.
MONEYVAL ka vendosur që Shqipëria duhet të mbetet në procedurën e zgjeruar të ndjekjes dhe të raportojë përsëri për përparimin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e saj të masave LPP / LFT në bazë vjetore.











