Klement Balili, i njohur ndryshe me nofkën “Eskobari i Ballkanit”, ka kërkuar që të ndryshojë burgun për të kryer dënimin prej 10 vitesh heqje lirie. Balili ka kërkuar nga Gjykata e Elbasanit që 10 vitet brenda qelisë t’i kalojë në një burg të sigurisë së zakonshme edhe pse është dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për “trafik lëndësh narkotike”.
Sikurse raporton gazetari Elton Qyno, i dënuari Balili, i cili më parë ka apeluar edhe pafajsinë, kërkon nga togat e zeza të Elbasanit që, nga burgu i Peqinit, ku ndodhet aktualisht e që është një burg i kategorizuar si “i sigurisë së lartë”, të kalojë në një burg të sigurisë së zakonshme, për të përfituar edhe lehtësia sa i përket lejeve për të dalë nga qelia apo edhe ulje dënimi.
Gjykata e Elbasanit ka marrë në shqyrtim kërkesën e tij dhe pritet që në ditët në vijim të marrë një vendim për “fatin” e Balilit.