Kallash, Kallash dhe një “pallash” sot… “për patriotët”
Turmat e internet kafeve na kënaqën me teoritë, fantazitë, hulmutimet dhe studimet për gjëmat që një këngëtarë me kombësi boshnjak dhe me shtetësi serbo-kroati u paska bërë shqiptarëve me kallash.
Askush nuk tha, se Bregoviç nuk shiste kallash si “këngëtari i njohur” Damir Fazlliç, miku i familjes “non grata” në të mira dhe në të këqija. Madje, serbin për pak sa nuk e emëruan “gjeneral” apo specialist të sigurisë kombëtare, pikërisht ata, të cilët sot hungërijnë me zë të mekur nga kolibja e tradhëtarëve buzë Lanës, por një ditë duhet të japin llogari edhe për këtë.
Të vendosësh “në rrjesht” anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që nga ministri i mbrojtjes, ai i Brëndëshmi, gjenerala dhe drejtues madhor të policisë dhe ushtrisë, për të dhënë llogari para një njeriu të pa pajisur me çertifikatë sigurie dhe një trafikant armësh serbo-boshnjakm, pa asnjë lidhje me sigurinë kombëtare shqiptare… është krim shtetëror.
Shitësi të kallashëve i’u bë një nder i paparë: U largua nga Shqipëria në krahë të policisë, si triumfator, me një aferë miliona dollarë dhe një thes në zyrën e Gitës, duke u lënë njollën e zezë patriotëve të internet kafeve, albanofob, që as nuk pipëtin për këtë poshtërim kombëtarë.
Ndërsa autorin e këngës Kallashnikov që nuk kishte shitur kurrë kallash, e masakruan dhe e bënë armik të Kosovës… sepse paramilitarët e paskërkan përdorur si himn këngën e tij e kjo ështe një tjetër fantazi e patriot-maskarenjëve.
Kënga Kallashnikov, nuk është bërë as për t’i thurur lavdi fabrikës së armëve “Zajednica” dhe as për t’i bërë sfidë fabrikës së armëve të Poliçanit, e as për të sfiduar Kosovën meqë nuk kishte fabrikë armësh, por është një ironi therëse për çmendurinë e qytetarëve të ish Jugsllavisë, që vraponin të armatoseshin.
Kënga Kallashnikov nuk lidhet me masakrat në Ish-Jugosllavi, kjo këngë ishte kolona zanore e filmit “Underground”, të regjisorit Emir Kusturica, film i jashtëzakonshëm që nxjerr zbuluar mendësinë dhe natyrën ballkanase, paradokset dhe mentalitetin arkaik që i kushtohet në fakt marrëdhënies alla-cigane, që ballkanasit kanë me kallashnikovin. Kjo këngë lidhet në fakt dhe me Shqipërinë e 97-ës, por me Kosovën… asgjëkundi.
Nëse paramilitarët e paskan kënduar në Kosovë, ata nuk besoj se e mësuan atje këngën dhe patjetër do e kenë kënduar dhe në Bosnje apo Kroaci, ku janë kryer masakrat më të mëdha të pas Luftës së Dytë Botërore. Çuditërisht “patriotizmi” boshnjak dhe kroat paska vdekur, përderisa e lejojnë Bregoviçin të këndoi në vendet e tyre, duke i lënë hapësirë “lindjes” së patriotizmit të ri të internet kafeve, që shtyjnë ditën me përgojime e ofendime absurde dhe në mbrëmje ikin të lumtur me barkun bosh në shtëpi, me idenë se i shërbyem atdheut… shamë një serb.
Kënga në vetvete është skaner realist i një mentaliteti, i një gjendje të caktuar psiqike dhe s’ka lidhje me ato që përfliten nga “patriotët”, që nuk dinë as ta dëgjojnë e as ta lexojnë, e për më tepër ta kuptojnë muzikën e tij.
Vërtet mendoni se këngëtarët serb e boshnjak, e shumë të tjerë, vdesin të vijnë në Shqipëri? As që u bie ndërmend për këtë gropën ku jetojmë ne, ndërkohë që në vendet e tyre dhe jo vetëm, ndiqen në sheshe dhe stadiume në koncerte ku marrin pjesë qindra mijëra vetë dhe gjenerojnë në një koncert miliona euro.
Këngëtari do këndoi, madje do e hap koncertin e tij me këngën “Kosovska”, e kompozuar nga ai vetë dhe nuk do këndoj “Kallashin”, një këngë nga më të njohurat e tij, sepse nuk duan “pallashët”. Bregoviç do ia plotësoi dëshirën pallashëve në darkë, që të krenohen me marrëzinë e tyre: E mundëm një serb, e ndaluam të këndonte këngën e Kallashnikovit….