Kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur sërish pas ankesave të studentëve të cilët janë kaluar në një godinë të vetme konvikti të qytetin Studenti, pas përgatitjeve për ardhjen e afganëve.
Më një intervistë për FaxNews, Veliaj tha se kanë qenë vetëm 10 studentë të cilët kanë provime të mbartura në vjeshtë, ata të cilët janë transferuar në një godinë të përbashkët.
Sipas tij lëvizja e studentëve në një godinë të vetme, lidhet më shumë me një logjikë ekonomike se sa me afganët, pasi nuk mund të mbahet një godinë me 450 dhoma hapur, vetëm për një student që ka ngelur në vjeshtë.
“Desha të sqaroj disa gjëra. Unë jam rrit te shkolla “Mihal Grameno” në qytet studenti dhe me sa mbaj mend unë konviktet kanë qenë mbyllur në muajin gusht. Dhe një huidraulik e një sanitare janë njerëz dhe po ashtu kërkojnë të pushojnë gjatë këtij muaji. Kam qenë unë ai që ka kërkuar që ‘Qytet Studenti’ të qëndrojë hapur gjatë muajit gusht për t’i ardhur në ndihmë atyre studentëve që kishin provime të mbartura në vjeshtë. Është e pamundur që të kemi 10 studentë në 4 godina. Nuk ka sens ekonomik që të mbahen hapur vetëm për dy veta dhe kjo nuk ka lidhje me afganët. Të 10-të këta studentë të cilët ndodhen në godina të ndryshme do të transforohen në një godinë të vetme. Nuk mund të mbahet hapur një godinë me 450 dhoma vetëm për një student. Të gjithë që jetojnë në Shqipëri e dinë që universitet fillojnë në tetor dhe këtu nuk vend fare për të krijuar një problem të paqenë. Këtu nuk bëhet fjalë për të gjithë studentët, por për një grup të cilët ne i kemi lejuar që të rrinë aty për t’i dhënë mundësi të japin provimet e vjeshtës.
Sapo kujtuam 30-vjetorin e anije “Vlora” në Bari. Imagjino sikur 10 studentët e vjeshtës së Universitetit Politekniktë Barit të thoshin jo nuk duam që shqiptarët të akomodohen këtu. Ishte kryetari i bashkisë së Barit ai që tha “ej si mund t’i lëmë në det, janë njerëz prej mishi dhe ata” dhe këtë gjë duhet të bëjmë dhe ne sot me afganët. Siç na trajtuan ne të tjerët ne ashtu duhet të trajtojmë dhe ne të tjerët. Shkolla fillon në tetor dhe e vetmja gjë që kemi kërkuar është që të mos ketë 1 konvikt për një student. Nuk ka sens ekonomik që të qëndrojnë godinat hapur. E vetmja gjë që kërkojmë është që kush është për vjeshtë të tranferohet në një godinë tjetër. Në vitin 2021 do të thotë të jesh solidar, ti nuk mund të jesh në moshën 20-vjeç rascit, ti nuk mund të jesh në moshën 20-vjeçare dhe të jesh fashist.
Besoj se shumica e studentëve do ta mirëkuptojnë këtë, dhe në tetor akomodimi do të vijojë normalisht. Kur kam qenë unë 20-vjeç mbaj mend se studentët ishin të përfshirë në protesta, në veprimtari vullnetarë dhe besoj se 20-vjeçarët e sotëm janë akoma më të mire,”- tha Veliaj.
Sot do mbërrijnë në Shqipëri 300 afganët e parë! Prej dy ditësh në media raportohet se afganët do mbërrijnë nga momenti në moment, mirëpo grupi i parë do të strehohet ditën e sotme, rreth orës 17:00. Ishte planifkuar që mbërritja të bëhej ditën e djeshme në mbrëmje, por ky variant u anulua, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul, të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë. Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re.