Fragment tjetër nga libri ” Jemi që pa ardhur deti”. Flet Lefter Çipa:
Himara:
Prehja në vendlindje është një ëndërr e bardhë, e barabartë
Çfarë nënkupton dygjuhësia në Himarë? Përbën kjo dygjuhësi një problem në vetvete?
Nuk duhet të paragjykojmë asnjëherë faktin që fliten dy gjuhë. Dihet që në tërësi fiset dhe mëhallat himariote janë nga Labëria e madhe, nga Korça, Kruja, Lezha. Nëqoftëse do t’u referohemi të madhit De Rada dhe vjershërimeve të tij, në veçanti te “Këngët e Milosaos” gjejmë Himarën e vërtetë, të lashtë, të dijes, të punës, të atdhetarisë dhe të nderit dhe trimërisë. Natyrisht, gjitoni me gjitonin diçka huazon. Kjo është sa praktike dhe e jetueshme. Është e papranueshme nëse reflekset e gjitonit tënd reflektojnë tek unë si të trashëguara prej gjyshërve dhe stërgjyshërve. Kjo është vetëvrasje. Nuk duhet të aludojmë jemi apo s’jemi këta apo ata. Ne jemi ne, të cilët kemi qënë që kur erdhi deti dhe na gjeti, që kur u ngrit mali dhe na përshëndeti, që kur hapi gjiret fusha dhe u jeshilua.
Ritet, traditat dhe zakonet janë këto të thënieve, të studimeve të cilat kam bërë. Nëse pyesni nëse është e vështirë jetesa në një krahinë ku fliten dy gjuhë, njeriu dhe në veçanti krijuesi e dikton shumë lehtë këtë fenomen. Nëse të dy gjuhët i zotëron në të folur, të dyja nuk i lakon dot të njëllojta. As në përkthim dhe as në të folur. As në stilin e dialektizmave. Të dy gjuhët kemi dashamirësinë t’i pranojmë brenda jetës dhe aktivitetit jetësor, por duhet t’ua dallojmë djepet: cili djep ka djalin dhe cili tund vajzën. Në çdo vend dhe në çdo komb gjuhët e huaja janë si era që fryn dhe shkon e nuk qëndron. Gjuha amtare është ajo që të këndon kur lind dhe të vajton kur të përcjell. Nëqoftëse do të vëzhgosh, do të shohësh se kur lind dhe kur perëndon këndohet në gjuhën shqipe dhe vajtohet me ligjëratat shqipe. Mua si krijues dhe si banues i brigjeve të diellit, nuk më vret ose errëson dot një hije zezë e lisit pa dritë, kur kam diellin përballë. Drita e gjuhës shqipe është dritë dhe për gjuhët e tjera europiane dhe ballkanike. Prandaj, nuk kam asnjë shqetësim si artist dhe krijues në këtë drejtim. Këtë e thekson polifonia, perëndesha klasike himariote, e cila këndohet me krenari perëndie dhe me një siguri të gjuhësisë në shqipen e lashtë.
-Thuhet se njeriu sa është në moshë të re vret mendjen si t’i largohet vendlindjes, ndërsa kur vjen mosha madhore vret mendjen si t’i rikthehet vendlindjes…
Natyrisht djalëria ka natyrën e zogut. Zogu ka një ligj si shpend, që kërkon sa më shpejt të fluturojë dhe kur bën fluturimin e parë, e quan dhe ditëlindjen e tij. Pra, ditëlindja e zogut është fluturimi i parë. Këtë fluturim bën dhe djalëria. Ashtu si zogu që kërkon të dijë shtigjet, hapësirat, burimet, lulëzimet dhe harenë fluturuese, edhe djalëria në fillim nuk e di vlerën e vendlindjes. Kërkon lirinë e tij personale dhe liria sigurisht është një gjë simbolike për moshën e re. E do çdo gjë ta shikojë, ta dëgjojë, ta njohë para kohe. Mosha e djalërisë pikërisht ka dhe huqet e dashurisë. Jo se i rëndohet vendlindja, por është ana shpirtërore që do ta njohë para kohe çdo gjë që ka kjo botë. Natyrisht te mosha e djalërisë lëvizja, kontakti, të gjitha reflekset që ushqen në dijen e tij njeriu, kërkojnë dhe mendojnë t’i dritësojë. Fillimisht kjo moshë mendon se dritësimi në vetvete ia jep me lëvizjet e shumta dhe largimin nga vendlindja. Pas një mundimi që i shfaqet, qoftë mendor, shpirtëror, ose fizik, herë pas here kthehet dhe peshon vlerën e vendlindjes. Dhe kur i jepet fakti i peshimit të
vendlindjes, atëherë mosha e re kupton gabimet dhe nxitimet e saj. Dashuria jeton brenda luleve të dashurisë pa nisur nga dashuria. Kur ajo shtrëngon dorën me të dashurin që ëndërron, atëherë di të dallojë çfarë mundimi, çfarë gëzimi dhe çfarë detyrimi ka dashuria e vërtetë. Ndaj pishmanllëku i djalërisë parapërgatit mençurinë e pjekurisë. Ndaj pleqëria, kur i mbarojnë energjitë fizike, dëshirat, vullnetet, kërkon vërtetësinë dhe rehatin në vendin e tij të lindjes. Sepse atje gjen gjakun, farefisin, ortakët dhe ortaket, merakun dhe mallin, ku ato kanë një sofër të përbashkët dhe aty dëfrehen dhe hapen fletët e jetës së tyre.
Bregdeti ka një cilësi të veçantë që quhet trashëgimi zakonore, por vërtetësisht është trashëgimi shpirtërore: kur atij ose asaj i vjen ora e lamtumirës, që e parandien çastin e lamtumirës, lë porosinë e përjetshme të asaj jete që të prehet në vendlindjen e tij( ose asaj), sepse atij i flet imagjinata, që i duket se do dëgjojë dhe shikojë çdo amanet që ai ka lënë apo ka porositur. Dhe kjo është e vërtetë kapitale. Në vendin tend, ku ke parë diellin për herë të parë, atje duhet të mbash lamtumirën diellore me hijen e qetësisë së errësirës.
Por në parandjenjat, imagjinatën, dhe fantazinë e njeriut, ai dëshiron që përsëri sytë të zgjohen dhe të dëgjojë këngën e tij, të takojë të afërmit dhe fëmijët e tij. Të lexojë historinë e tij, t’i flitet çast pas çasti emri. Sa herë që do salutohet guri i jastëkut të kokës, atje ku prehet, aq më tepër përjetësohet dhe afrohet tek të gjallët.
Këtu është ndryshimi ndërmjet dy moshave: moshës djaloshare nuk i shkoknë nëpër mend këto që gjykon dhe vlerëson mosha madhore.
Bregasi e flet amanetin me zërin e lartë të tij. “Kur të mbyll sytë, më çoni të prehem në vendin tim, në fshatin tim, tek guri im, se ju do jeni pranë meje dhe unë pranë jush”.
Kjo është parandjenja filozofike që çdo ditë degëzohet dhe kurorëzohet tek mendimi, tek dëshirat, tek kujtesa e moshatarit për t’iu plotësuar enigmatika që ai e ëndërron si të tillë edhe në botën e përtejme.
Natyrisht këtë përjetësim në vjershërim, më të saktë dhe më të vërtetë e ka bërë Andon Zako Çajupi: “ku më ka lindur koka”…, atje kërkon të prehet dhe shpirti. Se atje vlerat e njeriut që ka jetuar kthehet në një gjerdan të artë për brezat e ardhshëm.
Prehja në vendlindje është një ëndërr e bardhë, e barabartë. Ëndrra e lamtumirës që kërkon të gjejë hapur portën e parajsës. Shumë herë betohen për shpirt të nënës ose për shpirt të babait. Për shpirtin e atyre që i kam pranë. Pra, kur prehen në vendlindjen e tyre, njerëzit përjetësohen dhe nderohen nga brezat që përcjellin njëri-tjetrin. Këto mençurira filozofike vlerën e gjejnë më të diamantëruar, sidomos kur kalojnë moshën e djalërisë dhe fillon kuvendi i moshës së menduar tek kurbetllinjtë, tek ata të cilët kanë qënë dhe janë të mërguar nga atdheu.
Atdheu është ati dhë mëmëdheu është vendlindja, mëma ku të ka lindur. Sa je djalë, këto dy vlera nuk i shikon.
Kur mosha fillon dhe varfërohet nga ana fizike, fillon dhe shëndoshet nga ana mendore. Vendlindja, mëmëdheu është dhe vula e historisë që ke qënë, je dhe do të jesh. Ky testament i takon ta mbajë në dorë mosha e moshuar. Ndaj, kur njeriu vdes në dhe të huaj nuk ka kush t’i hedhë një dorë dhe mbi vete, sepse nuk është dheu i tij. Dora e dheut kthehet në një qilim të artë që mbart shpirtin. Në atdheun tënd, çdo pjesëmarrës në lamtumirë hedh dorën e dheut mbi të përcjellurin duke thënë: “I paharruar qofsh, në parajsë shpirti!”. Pra, parajsa për shpirtin e njeriut është dora e dheut që i hidhet nga dheu i vendlindjes së tij.
Çfarë marrëdhënie ke me vendlindjen?
Me vendlindjen time, që nga fëmijëria dhe deri në këtë moshë (75-vjecare), kam qënë i mbështjellë dhe vazhdoj të jem, dhe do të jem, si guri brenda dheut dhe dheu pranë gurit. Askush në jetë nuk mbahet dhe nuk shkëputet nga vendlindja. Pa patur parasysh rrethanat, dallgëzimet, përplasjet, hallet, mëritë, konfliktet, gëzimet dhe hidhërimet, këto janë të gjitha rastësi sekondash në shpirtin e njeriut. Gjithmonë në jetën e tij njeriu vrapon të jetë pranë vendlindjes së tij. Më keqbërësin e tij, njeriu, në jetë quan atë person që i ka krijuar valët e mjegulluara për ta larguar nga vendlindja. Unë asnjëherë nuk e kam
pasur këtë fat të keq, sepse unë kam dy vendlindje të miat: vendin ku më ka lindur dhe tundur djepi dhe kam polifoninë që më rriti dhe më dha vlerën artist i atdheut tim. Artist i popullit tim dhe i kombit tim. Në vendlindjen time, polifonia i thotë vdekjes: “kapto matanë, në botën e përtejme, se unë mbaj lindjen e birit tim në prehërin tim”. Kjo është polifonia dhe vendlindja që as është shkëputur dhe as nuk do shkëputet nga shpirti im.
Himara ka një kryeneçësi dhe shpesh fat të trazuar në raport me fatin e Shqipërisë. A ka një diferencë fati i Himarës me pjesën tjetër të vendit?
Himarës asnjëherë nuk i ka luajtur guri i kalasë. Individët prej kësaj kalaje kanë kërkuar të heqin ndonjë gur, por kalaja aq të ngjeshur i ka gurët sa nuk ia luan dot as me qysqi, as me top. Dhe që ta besojnë këtë thënie, le të pyesim ku i kanë varret dhe ku janë varrosur ata që kanë kërkuar të heqin ndonjë gur nga kalaja e Himarës shqiptare.?!
Atje ku janë varrosur, jam i sigurt, jashtë atdheut të shenjtë të shqipeve, lotët e qyqes dhe kënga e korbave as nuk u ka munguar dhe as do t’u mungojë. Me grykën e ulërimës së qyqes dhe me këngën e çjerë të korbit, ata pagëzojnë çdo ditë, aty ku nuk prehen, vetveten e tyre, por prapë mbeten të paemër. Përveç emrit djall, gjë tjetër nuk u mbetet.
Le të kujtojmë vjershërimin e vjershëruesit Nase Beni nga Vunoi: “ç’kërkon ti moj bushtër e qenit, ç’kërkon ti në gur të thatë?!, se këtu këndon bilbili, që e ka zërin të rrallë”.
Le të dëgjojmë shumëzërat e polifonisë himariote. Në shqiptimin e vjershërimit shqip dhe aty kemi dritësimin historik të Himarës për shekuj e mote: “Nëntëqind e dhjetë viti, vafti që shkoi komiti (kometa), thanë Himara kryengriti”. “Himariotët me dyfeqe, s’thonë oriste as lepe, por gjuhën e bilbilit me vete, që këndon fermant’ e seneve”.
Nga trembëdhjetë fshatrat e bregdetit (Nivica, Shën Vasi, Lukovë, Piqeras, Sasaj, Borshi, Qeparoi, Kudhësi, Piluri, Himara, Vunoi, Dhërmiu, Palasa) vetëm Dhërrmiu, Palasa dhe Himara flasin greqisht. Por asnjë fshat nuk këndon, nuk vjershëron dhe nuk vajton greqisht. Vetëm shqip. Ata nuk janë gjuhëfolës greqisht. Janë gjuhëstinorë. Në ato tre fshatra, greqishtja është gjuhë e dytë, stinore, kurrësesi gjuhë amtare. Është gjuhë e hallit dhe nevojës, nga emigracioni që të mëson domosdoshmërisht shumë gjuhë, por mbetet gjuhë stinore.
Edhe zogjtë janë shumëgjuhësorë.
Çfarë është e vërtetë rreth Himarës dhe çfarë është mit?
Himara ka fillimisht mitin fetar, që është ortodokse.
Brenda kësaj, ortodoksizmi i mitit, besimi te patriotizmi, atdhedashuria është më e varfëruara nga të gjitha trevat e tjera. Miti tjetër është që është grek dhe kjo vjen prej gjuhës greke që përdoret. Por, gjuha e dytë nuk ishte e domosdoshme. Gjuha shqipe mbushte vakitë, kënaqësitë, dasmat, fejesat. Përse duhet një gjuhë e dytë? Nuk është e justifikuar. Vetëm 3 fshatra nga 13 flasin greqisht. Kjo justifikohet me tregtinë. Nuk justifikohet me faktin që kanë pasur mole. Se mol ka pasur dhe Jali, por nuk flet greqisht. Lidhet tërësisht me tregtinë. Piluri nuk ka shkëputur asnjëherë lidhjet me Himarën, por nuk ka folur greqisht. 73 fshatrat e principatës së Himarës kanë folur dhe vazhdojnë të flasin shqip. 3 fshatra e kanë shtuar një gjuhë stinore, por kjo nuk e ka zëvendësuar gjuhën shqipe.
Si është të jesh një figurë me ndjenjë të theksuar kombëtare përballë një krahine që ka probleme me identifikimin kombëtar?
Himariotët kanë një problem me figurat kapitale të saj. Himariotët nuk e duan Petro Markon, Neço Mukon, njëlloj siç nuk më kanë dashur as mua. Neço Mukon e kanë hedhur poshtë për shkak të këngës shqipe, siç kanë hedhur poshtë Petron për shkak të faktit se e ka pohuar gjithmonë identitetin shqiptar të Himarës. Është mentaliteti i kufizuar i një pjese të vogël që kanë një bindje jo koherente, që e shprehin vetëm në momente të caktuara.
Është krijuar miti i rrezikshëm që Himara është greke. Ky është një kancer i rrezikshëm. Origjina e faktuar e mëhallave dhe fiseve është nga Labëria e Madhe dhe kryesisht Kurveleshi, nga Vithkuqi i Korçës, nga Kruja dhe Mirdita.
Në bregdet të Himarës, të 13 fshatrave, meqë ka forcë bindëse të ndërgjegjes rryma greke, një figurë me vlera patriotike dëmtohet shumë në idealin e tij shpirtëror. Një individ me forcë patriotike në këtë krahinë luftohet për bindjet patriotike politike; masa dhe rryma greke e konsideron si tradhëtar.
Odhise Nesturi nga Vunoi ishte nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit, i cili luftohej që në kohën e tij. Nase Beni nga Vunoi, vjershëtori dhe nënkryetari i Shoqatës “Bashkimi” në Vlorë, po ashtu. Këta ishin demokratët e parë, të kohës së Nolit. Të gjithë këta janë luftuar, madje deri në ekzekutim, si në rastin e Nase Benit, Odhise Nesturit. Zerbin Çakalli nga Piluri, ishte anëtar i kuvendit të Gjirokastrës, degë e Lidhjes së Prizrenit. I luftuar edhe ai….
Flet ” Princi i polifonisë”, Lefter Çipa, Nderi i Kombit
Fragment nga libri ” Jemi që pa ardhur deti”
Intervistë-ese
Akri Çipa
Botimet OMBRA GVG
TIRANË