Si e pësoi mësuesi që i vuri notën 9 Pranverës, vajzës së Enver Hoxhës – dhe çfarë ndodhi më pas
Në vitet e diktaturës, jo gjithçka ishte ashtu siç mendohet sot. Këtë e tregon edhe historia e një mësuesi të ri, idealist, i cili pa e ditur u përball me një situatë që mund t’i kushtonte shumë shtrenjtë.
Pasi kishte mbaruar studimet për histori–filozofi, ai u dërgua për praktikë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë – një shkollë ku mësonin fëmijët e udhëheqjes së lartë të vendit. I përqendruar vetëm te korrektësia profesionale, mësuesi hynte në klasë pa e ditur se kë kishte përballë.
Një ditë, ai thërret në dërrasë një vajzë shtatlartë, të edukuar dhe të sjellshme, me emrin Pranvera. Vajza përgjigjet mirë, por në një moment ngatërrohet. Mësuesi, pa hezitim, i vendos notën 9.
Sapo nota u shqiptua, klasa shpërtheu në një “uuuu” të zgjatur. Mësuesi u habit, por qëndroi serioz. Nxënësit heshtën. Pranvera u skuq lehtë dhe u ul pa thënë asnjë fjalë.
Pas mësimit, një nxënës i afrohet dhe i thotë në heshtje:
“Profesor, ajo vajza që i vutë 9… është vajza e Enver Hoxhës.”
Për një çast, mësuesi shtangu. Por u mblodh shpejt dhe u përgjigj:
“Unë i vura notën që meritonte. Nuk e fyeva.”
Dhe historia mbyllet këtu? Jo.
Pranvera Hoxha, sipas rrëfimit të mësuesit, nuk reagoi kurrë. Asnjë ankesë, asnjë shenjë pakënaqësie. Përkundrazi, sa herë e takonte më pas, e përshëndeste me respekt dhe edukatë. Ishte një nxënëse e disiplinuar, studiuese dhe kurrë nuk përpiqej të veçohej nga të tjerët.
Mësuesi ruan kujtime pozitive për të dhe për atë kohë, duke theksuar se procesi mësimor ishte i rreptë, por korrekt. Mësuesit punonin me përgjegjësi, shpesh në kushte të vështira, në fshatra të largëta, pa rrugë e pa komoditete. Mitmarrja, sipas tij, nuk ekzistonte si fenomen. Më e shumta ishte një kafe apo një gotë konjak për mësuesit që qëndronin larg familjes.
Shkolla ishte serioze, kërkesa e lartë dhe disiplinat respektoheshin. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit kishin një marrëdhënie të ngushtë dhe përgjegjëse. Analafabetizmi nuk njihej dhe arsimi ishte shtyllë e shoqërisë.
Një histori e vogël, por domethënëse, që tregon se ndonjëherë korrektësia profesionale mbijetonte edhe në kohët më të vështira.











