14 vrasje të pazbardhura! Krime sa të duash pa autor në Shqipëri, dështon Policia Kriminale?!
Një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura gjatë këtij viti kanë mbetur pa autor duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi bilancin e punës së policisë kriminale. Ky sektor pritet ti nënshtrohet një analize të thellë pas rotacionit në kupolën e policisë së shtetit. Shumica prej 14 atentateve të mbetura pa autor, janë hetuar si larje hesapesh mes grupeve kriminale që veprojnë në qytetet kryesore të vendit të pa shqetësuara nga policia.
Numri i vrasjeve të ndodhura gjatë 10 muajve të vitit, duket se ka qenë një arsye e fortë për të sjellë një rrotacion në nivelin drejtues të Departamenteve Qendrore të Policisë së Shtetit dhe kryesisht në atë kriminal. Madje zinxhiri i vrasjeve që përfshiu vendin, u bë shkak determinant që, Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të jepte dorëheqjen. Nga disa të dhëna të siguruara nga “Ora News”, rezulton se Policia Kriminale, ka një seri ngjarjesh të pazbardhura, rreth 14 vrasje kryesisht në katër qarqet problematike për rendin si Vlorë, Elbasan, Durrësi dhe Shkodra.
Ndërsa në total, numri i vrasje në të gjithë vendin, deri në ditën e sotme shkon tek rreth 49 të tilla. Sipas dinamikës së ngjarjeve muajt më të përgjakshëm kanë qenë muaji zgjedhor siç ishte prilli, me 7 vrasje, duke vijuar me muajin Maj me 7 vrasje dhe duke shkuar tek muaji Qershor që u mbyll me një bilanc lufte, me 13 të vrarë. Në raport me vitin e kaluar 2020-ën kur janë regjistruar 52 vrasje, deri në periudhën e mesit të Tetorit 2021, ky vit shënon 3 vrasje më pak. Sot policia kriminale në vend është një nga hallkat më problematike, ku në disa vrasje janë arrestuar me urgjencë persona të ndryshëm si të dyshuar për ekzekutimet dhe më pas, akuzat ndaj tyre janë rrëzuar nga gjykata, për mungesë të provave. Nga 1 janari 2021 deri më sot, 14 dosje të pazbardhura që lidhen me vrasjet vijojnë të mos kenë asnjë autor të identifikuar dhe jo më të arrestuar. Dosja e parë e pazbardhur është ajo e vrasjes së Edmir Bregut në Durrës më 24 janar 2021. Lista vijon me ekzekutimin e Gentian Qarit në Vlorë apo “Mond Çekiçit” në Durrës, Bardhok Pllanaj në Shkodër.
Vrasja e fundit e pa zbardhur është ajo e Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit në Elbasan. Ndërsa qarku me problematik për vrasjet e pazbardhura rezulton të jetë Vlora me 4 të tilla. Pasi ekzekutimi i Gentian Qarit, Bledar Birçaj, Delon Troqes dhe Shkëlzen Velaj, vijon të jenë pa autor. Ndërsa Shkodra dhe Elbasani, kanë përkatësisht tre dosje të pazbardhura, ku padyshim ajo që bëri shumë bujë në Shkodër dhe jo vetëm, ishte ekzekutimi i Bardhok Planaj.
Vrasja mafioze e Bledar Muçës në Lushnjë, që besohet se lidhet me menaxhimin e lojërave të fatit, vijon të jetë e pazbardhur ndërsa pa autor është dhe ekzekutimi i Çajup Selimit në Tepelenë.
VRASJET E PAZBARDHURA
Edmir Bregu në Durrës
Edmond Çekiçi në Durrës
Gentian Qari në Vlorë
Bledar Birçaj në Vlorë
Delon Troqe në Vlorë
Shkëlzen Velaj në Vlorë
Violeta Gurra në Shkodër
Bardhok Pllanaj në Shkodër
Sokol Çelaj në Shkodër
Everest Caka në Elbasan
Ardian Çollaku në Elbasan
Lulzim Bitri në Elbasan
Çajup Selimi në Tepelenë
Bledar Muça në Lushnjë
VRASJE NË MUAJIN PRILL
4 PRILL Vritet Bardhok Pllanaj
10 PRILL Vritet Fëllënza Shirja
11 PRILL Vritet Nazmie Markja
12 PRILL Vritet Ilir Ruca
13 PRILL Vritet Xhetan Konesha
21 PRILL Vritet Pjerin Xhuvani
29 PRILL Vritet Benard Tonuzi
VRASJE NË MUAJIN MAJ
6 MAJ Vritet LILJANA BUZO
10 MAJ Vritet BLEDAR BIRCAJ
10 MAJ Vritet MEHMED QEMA
12 MAJ Vritet EVEREST CAKA
17 MAJ Vritet ENDRI MUSTAFA
21 MAJ Vritet DELON TROQE
29 MAJ Vritet EMILJANO NDOU
VRASJE NË MUAJIN QERSHOR
1 QERSHOR Vritet CAJUP SELIMI në Tepelenë
2 QERSHOR Vritet SHKËLZEN VELAJ në Vlorë
2 QERSHOR Vritet RAKO QORRI në Lushnjë
4 qershor Vritet Kudret Saliaj në Tiranë
6 qershor Vritet Gramoz Mema në Ksamil
6 qershor vritet Diana Vuka në Shkodër
7 qershor Vritet Menderi Bici në Librazhd
8 qershor Vritet Ylber Xhahysa në Peqin
13 qershor Vritet Fridman Xhaferaj në Korçë
27 qershor Vriten Kujtim Ferracaku
27 qershor Vritet Xhovani Gocaj
27 qershor Vritet Edmond Gocaj
27 qershor Vritet Myzerim Zeneli