Shtrohet në spital ish-presidenti i SHBA Bill Clinton, mjekët japin detajet.
Clinton, 75 vjeç është shtruar në spital ditën e martë dhe mjekët bëjnë me dije se ai është në gjendje të stabilizuar pasi u pranua në Qendrën Mjekësore UC Irvine.
Megjithëse është e paqartë se pse Clinton përfundoi në spital, ai ka një histori të gjatë me sëmundjet e zemrës.
Gjatë një deklarate, mjeku i tij është shprehur se ai ka marrë antibiotikë dhe lëngje.
“Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve.”
Mjekët në UC Irvine janë në kontakt me ekipin mjekësor të Clinton në Nju Jork, si dhe kardiologun e tij dhe janë shprehur se shumë shpejt ai do kthehej në shtëpi.
Clinton shërbeu si president i SHBA nga 1993 deri në 2001. Në vitin 2004, Clinton iu nënshtrua një operacioni katërfish të bajpasit dhe dhjetë vjet më vonë iu hap një arterie e bllokuar pasi u ankua për dhimbje gjoksi.
Jo shumë kohë pas operacionit të dytë, ish -presidenti, i cili ishte i njohur për dashurinë e tij për ushqimet yndyrore, u bë vegan.