Eduard Halimi, thotë se harta e re gjyqësore do të shtojë kostot për qytetarët por dhe për avokatët.
Sipas tij, shumë avokatë do mbeten pa punë, pasi shpenzimet për të shkuar në qytete të tjera do jenë të larta.
Duke folur në emisionin “Ora e Betit”, Halimi tha se qytetarët nuk do të shkojnë më në gjykatë dhe do t’u privohet aksesi në drejtësi. Ai shtoi se me hartën e re gjyqësore, mbyllen 9 gjykata dhe prokurori në 9 qytete të vendit.
“Avokatët dhe shqetësimi i tyre është legjitim sepse ata dhe qytetarët duhet të dinë pse po ndodh një proces i tillë. Është fakt që me hartën e re gjyqësore, mbyllen 9 gjykata dhe prokurori në 9 qytete të vendit. Shkrirja e 5 gjykata e apelit dhe përqendrimi në Tiranë rrit kostot për qytetarët dhe avokatët.
Nëse mbyllet në Përmet një studio ligjore do të ngelin pa punë avokatët dhe për të shkuar në Gjirokastër avokatit i duhen shumë shpenzime dhe do të shkojnë të paguhen te qytetari. Qytetarët nuk do të shkojnë më në gjykatë dhe do tu privohet aksesi në drejtësi. Prandaj shqetësimi është tejet legjitim”, ka thënë Halimi.