.
Kostot e ndërtimit të banesave kanë shënuar ndryshim në raport të zhdrejtë me atë që ka ndodhur me çmimet e apartamenteve.
Referuar të dhënave më të fundit të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të këtij vitit Indeksi i Kushtimit në Ndërtim është rritur me vetëm 0.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja është reflektuar pasi bizneset e ndërtimit janë përballur me shpenzime më të larta për blerjen e makinerive, pagave dhe transportit.
Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe përsa i përket ndryshimit tremujor.
Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2020 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 2,2 %, ndjekur më pas pasuar nga shpenzimet për transport me 1,9 % dhe shpenzimet për paga me 1,8 %.
Gjatë periudhës në fjalë rezulton se i vetmi grup ku është reflektuar rënie janë shpenzimet për makineri me një tkurrje prej 0.8%.
Por pavarësisht se kostot në ndërtim kanë qëndruar thuajse në vendnumëro, çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme të shpejta vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në harkun kohor të 7 viteve rritja në rang vendi prek shifrat e 48.6%, ndërsa vetëm në Tiranë ajo raportohet në 46.7%.
Situata nuk ndryshoi as gjatë pandemisë, kur ekonomia u godit rëndë dhe qytetarët u varfëruan për shkak të kufizimeve të ekonomisë dhe shpenzimeve shtesë për shëndetin.
Vetëm gjatë vitit 2020 është reflektuar një rritje me 11% krahasuar me vitin 2019.
Rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar rezulton se janë blerë me hua bankare.
Ndonëse çmimet vijnë gjithnjë e më shumë në rritje, paradoksi qëndron tek kostoja që përdorët për ndërtimin e tyre apo edhe nga fakti se shitjet bien.
Agjentët shprehen pesimistë për ecurinë e tregut në të ardhmen afatshkurtër por presin që situata të ndryshojë në vazhdim duke u reflektuar me rënie të çmimeve e rritje të kërkesës.