Ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra thotë se një burrë nuk mund të jetë i martuar me disa gra njëkohësisht dhe se kjo duhet të rregullohet nga ana ligjore. Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Gurra u shpreh se ka pasur disa raste në xhami, të martesës së një burri me disa gra.
“Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, theksoi ai.
Ka bërë shumë bujë së fundmi deklarata e islamologes Ikballe Huduti në një program televiziv në Kosovë, teksa ajo është shprehuar se i ka gjetur vetë edhe dy gra të tjera për burrin e saj. Huduti deklaroi se islami i lejon martesat me shumë gra dhe se unë ia bëra dhuratë burrit tim gratë e tjera se doja t’i fokusohesha fesë. Një ndër gjërat që ajo tha ishte se ka insistuar ajo që bashkëshorti i saj të mos kishte asnjë mungesë, duke i ofruar kandidatura për martesë të përkohshme. Në njërën prej martesave të përkohshme që partneri i Ikballes ka bërë, kandidatja ka qenë një pëlqim i tij përpara martesës me të.
“Ka pasur simpati për atë grua përpara martesës me mua dhe unë ia bëra një dhuratë. I dhurova burrit grua të përkohshme. Për një periudhë iu përkushtova islamit dhe që burri të mos i mungonte asgjë i dhash grua tjetër. Martesat e përkohshme janë të lejueshme në islam”, tha ajo.
Njëkohësisht Ikballe Huduti deklaroi se martesa e saj ka qenë ligjore ndërsa të tjerat jo, pavarësisht se ka këmbëngulur që të vijojnë për një kohë të gjatë. Në njërën prej rasteve të martesës ka kërkuar që me pëlqimin e saj bashkëshorti të martohej me një doktoreshë e cila kishte një djalë, duke bërë të mundur futjen e fëmijës në truallin e familjes.
“Martesa afatgjatë si e imja është ligjore, ndërsa të tjerat jo. Unë e mendoja që ai ta vazhdojë më gjatë martesën afatshkurtër sepse doja që vajza ime të kishte edhe një motër tjetër përveç vëllezërve. Martesat e tjera kanë qenë oferta të tjera ku një doktoreshë ka pasur një djalë dhe burri im është biznesmen, dhe ka mundësi të kujdeset për djalin madje të ketë pjesë në pasuri”, shtoi më tej Ikballe Hududi.
Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga shumë gra të tjera besimtare të cilat nuk bien dakord me këtë zgjedhje të Ikbales.
Pedagogia, Malvina Tafçiu thotë se deklarata e Ikballe Hudutit, e cila tha se i ka gjetur dy gra të tjera bashkëshortit të saj, është personale dhe se ajo nuk mund të quhet islamologe. Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Tafçiu u shpreh se deklarata të tilla nuk përfaqësojnë islamin e vërtetë.
“E them me bindje që shokohemi kur dëgjojmë të tilla deklarata. Deklarata të tilla si e zonjës Ikballe, që martesa promovon martesën e përkohshme, e theksoj që është në mënyrë kategorike e ndaluar fetarisht. Nuk e përligj me urdhëresat e islamit, nëse flasim për islamin e vërtetë. Është gabim. Deklaratat e saj janë personale dhe nuk mund ta quajmë ismanologe. Një deklaratë individuale të zonjës, nuk mund ta quajmë gjithëpërfshirëse të islamit të vërtetë. Ajo përfaqëson veten e saj, është në minorancë”, theksoi ajo.
Nuk është vetëm rasti i saj sepse më herët është përfoluar po ashtu në media për gra të tjera të njohura publikisht të cilat kërkojnë që të legjitimohet poligamia dhe që bashkëshortët e tyre të jenë të lirë të kenë sa gra të duan, për aq kohë sa mund t’i trajtojnë të gjitha njësoj.