Harrojeni Becchettin/ Qeveria Rama 3 duhet t’i paguajë 450 MLN € Bashkimit!
Qeveria shqiptare me në krye Edi Ramën vazhdon të masakrojë Buxhetin e Shtetit, pasi falë ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku duhet të paguajmë rreth 450 MLN Euro për ndërtimin me koncesion të aksit rrugor “Thumanë-Kashar”. Kjo goditje e rëndë për shqiptarët vjen pasi Balluku dështoi para gjykatës të mbronte vendimin e saj për anulimin e kontratës së fituar më herët nga kompania “Gener 2” e Bashkim Ulaj, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit është bërë publik dhe kjo i jep një goditje të fortë xhepave të shqiptarëve. Balluku, e sapoemëruar ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një dalje për mediat në 21 janar të vitit 2019 njoftoi se kishte anuluar koncesionin me kompaninë Gener 2 për ndërtimin e këtij aksi që parashikonte ndërtimin e afro 21 kilometrave autostradë për një kosto që mund të shkonte deri në 54 miliardë lekë, të dhënë kompanisë së Bashkim Ulajt nga ish-ministri i MIE Damian Gjiknuri.
“Kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit publik privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit të angazhimeve për Paktin e Universitetit në fushën e infrastrukutrës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”.-u shpreh Balluku në një dalje për mediat.
Tani Ballukut i duhet që të dërgojë në Këshillin e Ministrave kërkesën për miratimin e kontratës koncensionare me kompaninë në pronësi të Bashkim Ulaj. Në një vendim të datës 29 korrik 2021, Gjykata Administrative e Apelit pranoi kërkesën e kompanisë që kërkonte shfuqizimin e anulimit të koncesionit. Trupa gjykuese e Apelit shfuqizoi një vendim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe vendosi detyrimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të përcjellë në mbledhjen e qeverisë kontratën për miratim.
Kompania Gener 2 fitoi tenderin për ndërtimin e segmentit rrugor prej 20,8 kilometrash, pasi ky segement sipas qeverisë Rama në vitin 2018 u shpall i rëndësishëm pasi do të lidhte më mirë aeroportin e vetëm funksional të vendit me veriun, Portin e Durrësit dhe Kosovën dhe po ashtu do të lehtësonte ndjeshëm trafikun në aksin ekzistues.
KONCESION
Në mars të vitit 2018 qeveria i dha një bonus prej 8.5 pikësh kompanisë Gener 2 lidhur me projektin e paraqitur si ofertë e pakërkuar për ndërtimin e rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar. Dhënia e bonusit për Gener 2 solli më pas hapjen e garës për ndërtimin e rrugës por që prej faktit se kompania dha një ofertë të pakërkuar ajo ishte në avantazh ndaj konkurentëve të tjerë. Projekti i autostradës Thumanë – Kashar përfshinte ndër të tjera ndërtimin e 12 urave, dhjetra nënkalimeve, mbikalimeve dhe rrugëve dytësore. Konçensionin e fitoi Gener 2. Shuma e këtij Partneriteti Publik Privat ishte 31,738,710,000 lekë ose afro 250 milionë euro.
Në relacionin shoqërues të buxhetit 2019, qeveria raportoi si kosto buxhetore për aksin Thumanë-Kashar shumën prej 45.5 miliardë lekë. Pra kostoja e rrugës ishte fryrë edhe më shumë, afro 358 MLN Euro në total. Asokohe ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ahmetaj atëherë në detyrë, raportoi në Kuvend në dhjetor se kosto totale buxhetore e këtij projekti do të shkonte në 56.3 miliardë lekë ose plot 440 MLN Euro.
Por pas kritikave se aksi Thumanë-Kashar u konsiderua si një rast i pazakontë në historinë e investimeve publike në Shqipëri ku një kilometër i kësaj rruge do kushtonte afro 20 milionë euro dhe protestave të studentëve dhe skandalit me kompaninë offshore “DH-Albania” të Unazës së Tiranës, qeveria vendosi të anulonte kontratën me kompaninë koncensionare.
Pas skandalit me kompaninë “DH-Albania”, një investigim i mëvonshëm i Zërit të Amerikës hodhi dyshime se pas Dunwell Haberman qëndronte pikërisht kompania Gener 2 e biznesmenit Bashkim Ulaj. Menjëherë pas këtij skandali, Balluku e pa të arsyeshme që me një vendim, të nxituar të anulonte tenderin me “Gener 2”.
Menjëherë pas këtij vendimi kompania “Gener 2” iu drejtua Gjykatës Administrative të Tiranës për të shfuqizuar vendimin e Ballukut për anulimit të koncensionit të ndërtimit të rrugës “Thumanë-Kashar”. Ndërkohë që në janar të vitit 2020 Ministria e Infrastrukturës rihap tenderin për ndërtimin e rrugës “Thumanë-Kashar” me kosto më të reduktuara. Por “Gener 2” nuk hoqi dorë sërish dhe kërkoi pezullimin e kësaj procedure pasi çështja e tyre ishte duke u shqyrtuar në gjykatë dhe në dhjetor edhe Ministria e Infrastrukturës hoqi dorë nga procedura e re. Ndërsa në një vendim të datës 29 korrik 2021, Gjykata Administrative e Apelit i dha të drejtë kompanisë private, duke detyruar Ballukun që të dërgojnë në Këshillin e Ministrave për miratim kontratën koncensionare me “Gener 2” për ndërtimin e “Thumanë-Kashar”.
Por pyetja që shtrohet tani është se ku do t’i gjejë qeveria paratë për ndërtimin e këtij aksi pasi kur u anulua koncensioni, në Janar 2019, si Balluku, ashtu edhe Edi Rama deklaruan se pjesë nga fondi për këtë rrugë do të përdoreshin për “Paktin për Universitetin”. Dhe nëse ky fond është shpenzuar, atëherë aksi “Thumanë-Kashar” do të ndërtohet me fonde të përgjysmuara për shkak të Ballukut dhe vendimeve të saj të nxituara.
Të gjitha këto para miq, do dalin nga xhepi juaj, nga xhepat e qytetarëve të ndershëm të qytetit që fryjnë Buxhetin e Shtetit. Përpos dëmshpërblimeve më të mëdha që shteti ynë i ka humbur në Strasburg, duke përmendur këtu atë të Bechettit 110 MLN €, nën kurrizin tonë bien edhe qokat për Bashkim Ulajn. Nga 160 MLN Euro që u la kostoja përfundimtare e Thumanë-Kashar, u fry sërish në 450 MLN €! Jemi të qartë tanimë miq?! Që në fillim shuma paraprake e përcaktuar që ta fitonte Ulaj do të përfundojë sërish në xhep të tij e do rëndojë në kurrizin tonë për tekat e ministrave të qeverisë Rama. 450 MLN € nuk janë pak, shtojini edhe ato borxhet e tjera që kemi dalë humbës për tekat e kryeministrit dhe pasi ta bëni llogarinë, jepjani edhe mandatin e katërt!