A.P është një i ri që ka rënë në pranga duke konsumuar hashash në mes të Tiranës. Ai i ka habitur efektivët që e morën në pyetje me justifikimin që ka dhënë.
“Arsyeja pse e bleva hashashin ishte pasi doja të pija një cigare meqë hoqa stresin e provimeve,” tha para oficerit të policisë gjyqësore për hetimin e narkotikëve, i riu nga Tirana.
A.P u konstatua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga ana e punonjësve të policisë të Seksionit të posacëm “Shqiponja”. Gjatë kontrollit fizik, iu sekuestrua lëndë narkotike cannabis sativa, me një peshë të përgjithshme me amballazh 1.2 gramë e cila pas peshimit u fut në qesen e provave.
Efektivët dyshuan fillimisht se kishin të bënin me një shpërndarës droge, ndërsa i riu u prezantua si student i ekonomikut, ku më pas u zbulua se nuk ishte vecse një përdorues.
“Jam student i ekonomikut. Përfundova provimet me sukses dhe kur po bëja xhiro në qendër të Tiranës, pranë selisë së Partisë Socialiste ndjeva erën e hashashit ku po e pinin tre djem”, tha i riu. Sipas të dyshuarit, ai i ka pyetur nëse kishin një cigare për të dhe njëri prej tyre i është përgjigjur “ po deshe ta jap një cigare për pesë mijë lekë të vjetra” . Mbasi e ka blerë i riu është zhvendosur së bashku me qesen me hashash drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku dhe ka takuar një të njohur.
Policia deklaron në këtë rast se njësoj si edhe në raste të tjera, blerësit e drogës nuk i identifikojnë shitësit. Në material referohet “Shtetasi A.P. deklaron se personi që i ka shitur lëndën narkotike nuk e njeh dhe sot e ka parë. Me aq sa mbaj mend ishte një djalë trup mesatar , me xhinse të zeza, bluzë të zezë me mëngë të gjata sportive , flokë gështenjë , kishte pak mustaqe , më shumë nuk mbaj mend”, thuhet në procesverbal.
Konstatohet një rritje e numrit të përdoruesve të tillë në Tiranë, ndërsa në shumicën e rasteve Prokuroria rrallë herë nis hetimet.
Vec të rinjve si përdorues dhe shpërndarës po shfaqen edhe të miturit e kategorisë së grupmoshës nga 14 deri në 18 vjec.