Agron Malaj, 5 vite në krye të bashkisë për ta ndryshuar Matin…!
5 vite më parë Agron Malaj bëri betimin si kryetar i bashkisë Mat. 2 Gusht 2019 nisi punën në mandatin e parë. Një tufë e vogël opozitarësh kishin zënë derën kryesore të godinës, ndërkohë kishin bllokuar edhe zyrën e Këshillit Bashkiak. Humbja i kishte çorientuar plotësisht. Ishin pikërisht një grup njerëzish që vegjetonin në bashki, merrnin rroga të pamerituara, ishin miq, krushq, shokë, nipa, mbesa, teze, halla.
Betimi i kryebashkiakut Malaj dhe konstituimi i këshillit realizohet normalisht në zyrën e Nënprefekturës Mat, me pjesmarrjen e deputetëve, Prefektit, zyrtarëve të Ministrisë së Brendëshme dhe shumë qytetarëve që nuk e mbanin gëzimin.
Kishin të drejtë. Në krye të bashkisë ishte zgjedhur njeriu i duhur, zyrtari që do të realizonte investime të pa imagjinueshme, jetike, të domosdoshme.
Kryebashkiaku Malaj e nisi punën nga administrata e lodhur, e paaftë, nepotike. Disa ia mbathën se nuk e përballonin ngarkesën e rregullin, të tjerë u shkarkuan sipas ligjit.
Ndryshe nga paraardhësit Agron Malaj kishte ide të qarta se si duhej zhvilluar Mati. Në kohë rekord realizoi projekte të rëndësishme. Dukej qartë se ai nuk kishte ardhur në krye të bashkisë për interesa personale. I thjeshtë, korrekt, këmbëngulës nisi nga punët, ato që ishim më imediate.
Lëngonte ndriçimi në Burrel. As rrugët kryesore nuk kishin dritën e mjaftueshme gjatë natës. Kishe frikë të lëvizje drejt spitalit apo në rrugët e tjera kryesore të qytetit. Tani edhe hyrje daljet e Burrelit janë ndriçuar plotësisht, duke treguar se kemi të bëjmë me një qendër të rëndësishme urbale.
Uji me orar. Në disa zona nuk kishte fare. Ndërsa sot falë investimit të kryer në rrjetin e brendshëm të qytetit dhe ujësjellësin e Zallë Gjoçajve mijëra familje të Burrelit kanë ujë pa ndërprerje, 24 orë. Falë këtij investimi gjigand do të furnizohen me ujë 17 fshatra të Derjanit, Macukullit e Rukajve. Kujdes i veçantë është treguar edhe në ujësjellësat e njësive të tjera administrative.
Bushkashi e Batrra e Vogël u lidhën me asfalt, ndërkohë Malaj është i vendosur të nisë asfaltimi në disa rrugë të tjera. Siç qytetarët e Burrelit e dinë të gjitha rrugët e rrugicat janë asfaltuar, madje është treguar vëmendje për sinjastikën horizontale dhe vertikale.
Ankoheshin banorët e lagjeve të Burrelit se në verë kishin pluhur dhe në dimër baltë, pasi sheshet para pallateve ishin në gjendje kritike. Aktualisht kudo, në çdo lagje, janë vendosur pllaka, stola, kosha, ndriçim, duke krijuar kështu kushte normale banimi dhe jetese.
Ka përfunduar me sukses veshja e pallateve parafabrikat me sistemin kapot dhe do të vijohet me pallatet e tjera. Efiçencën e energjisë do ta gëzojnë mijëra familje. Pallatat nuk do të duken si objekte të dala nga lufta. Sakaq qytetarët do të harxhojnë më pak energji elektrike dhe do të kenë kushte më komode.
Investime reale po kryhen për sistemimin e ujërave të zeza. Në një impiant i madh vazhdon puna në lagjen Almetaj. Asnjë problematikë nuk do të ketë në të ardhmen në lidhje me këtë çështje.
Si dashamirës i kulturës e sportit Malaj ka punuar që objektet që u shërbejnë artistëve dhe sportistëve të rehabilitohen. Pallati i Kulturës “Shefqet Doda”, stadiumi “Liri Ballabani”, aneksi “Dali Farruku”, Pallati i Sportit “Ferit Hysa”, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Imer Neli” Burrel janë tashmë qendra të rëndësishme të edukimit, zbavitjes dhe zhvillimit të kulturës e sportit në Mat.
Shkollat e Matit nuk ishin para 5 vitesh siç janë sot. “Pjetër Budi”, “28 Nëntori”, “Mustafa Gjestila” nuk kanë ndonjë ndryshim me shkollat e Tiranës. Kujdes i madh është treguar edhe në objektet e tjera shkollore. Edhe në kopshte e çerdhe është investuar si kurrë më parë.
Në zona rurale është treguar kujdes për rrugët, urat, çezmat publike, qendrat administrative, pyjet, etj.
Për lulishten “Nëna Geraldinë” dhe gjelbërimin e hapsirave publike është bërë maksimumi, duke krijuar kështu mundësi argëtimi për qytetarët. Mijëra pemë dekorative janë mbljellë në lulishte, oborre pallatesh, trotuare, rrugët nacionale, pranë shkollave, e në disa qendra administrative.
Janë sistemuar për mrekulli qendrat e Njësive Administrative Komsi, Lis, Ulëz dhe pritet të investohet në katër njësi të tjera.
Sa shumë është bërë në këto pesë vite nuk ishte menduar. Vetëm një kryebashkiak si Agron Malaj mund ta bënte Matin një bashki me integritet, me një zhvillim të vrullshëm, shembull në shkallë kombëtare.
Hasan PASHA