Godet sërish drejtori i Spitalit të Korçës! 150 MLN për ngrohje biznesmenit 25-vjeçar, si u kamuflua kunata?!
Tenderat me objekt peletin për ngrohje, janë ndër ata që abuzohet më shumë. Do të bëhesh i pasur në Shqipëri? Hap një kompani që shet pelet, krijo lidhje ose bëji ndonjë qokë ndonjë titullari të Rilindjes, dhe prit të të futet tenderi me paratë e shqiptarëve në xhep. Ky është truku i zbatuar nga biznesmenë të rinj apo sipërmarrës, të cilët janë afër me ata të brendshmit që i nënshkruajnë këto kontrata publike. Në rastin që do të trajtojmë ditën e sotme, ka të bëjë pikërisht me një tender me objekt: “Blerje lëndë djegëse pelet druri, për kaldajat e Spitalit Korçë”–Marrëveshje Kuadër-me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 12 muaj”, të hapur nga Spitali i Korçës me titullar Litjan Brokës, një emër famëkeq përsa i përket sektorit të tenderave. Rikujtojmë këtu atë të 85 Milionë Lekëve për qumësht lope një biznesmeni, të pasqyruar pak kohë më parë nga JOQ Albania. Duket se këtë radhë, Broka e ka dyfishuar qokën për një biznesmen të ri në fushë.
Duket se Brokës i pëlqyeka të abuzojë me paratë publike e t’ua japë ato njohjeve të tij, si në rastin e shtjellimit të këtij artikulli, apo edhe të shumë procedurave publike të dhëna më parë të shënuara me REDFLAG për “Skualifikim të të gjithë Operatorëve Konkurrues përveç Fituesit”. Dy kompanitë e tjera në garë , personi fizik Eva Zoto dhe Sulollari Klima i Ardian Sulollarit, përpos IGLI PELLET me zotërues biznesmenin 25-vjeçar Igli Shurdhi, që është shpallur fitues i tenderit 155 MLN Lekësh, kanë marrë pjesë fiktivisht në garë duke mos ofruar ofertë ekonomike, një skemë e vjetër e demode që siç duket për drejtorin e Spitalit Korçë është ende në modë me idenë se tenderi me shkelje do kalojë i padiktuar. Ai që është fakt humoristik në gjithë këtë tender është se Eva Zoto (kompania që ka marrë pjesë në tender për ta bërë garën reale) ështe e fejuara e vëllait të Shurdhit.
Themi biznesmen i ri pasi Shurdhi është ende në fazën e qokave të ndërsjellta në këtë biznes dhe janë të paktë tenderat e përfituar me kompaninë e tij, 6 ë Shëndetësi me vlerë gjysmë Miliardi dhe 4 tendera në rang lokal me vlerë 31 MLN Lekë.
Për sa kohë që në krye të institucioneve shtetërore të ketë drejtora Litjana padyshim që në shoqëri nuk do mungojnë as përfitues Shurdha…