Gledis Nano ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ditën e sotme Nano u paraqit bashkë me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi e parardhësin e tij Ardi Veliu, në oborrin e Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ceremonia nisi me Himnin e Flamurit e më pas i pari foli Veliu. Veliu tha se ishte ndjerë i privilegjuar që të mbante këtë post për katër vite me radhë. Ai tha se Policia e Shtetit është në një tjetër nivel, pavarësisht se sipas tij, njerëz që flasin për rritjen e kanabisit dhe ngarkesat e kapura prej efektivëve janë ‘qorruar’ e kërkojnë të hedhin baltë mbi ta. Veliu i uroi fat Nanos në detyrën e re.
Pas tij foli Çuçi. Ministri i Brendshëm falenderoi Veliun për detyrën e kryer dhe shtoi se Nano do ta ketë shumë të vështirë tani duke parë nivelin e lartë të Policisë së Shtetit. Pas tij, vetë Nano u betua për detyrën e re. Nano tha se këtë profesion ai e kishte zgjedhur pasi ishte frymëzuar nga babai i tij, një ish-efektiv policie. Nano falenderoi kryeministrin Edi Rama, paraardhësin e tij dhe dha porosinë e parë për efektivët. Ai shtoi se të gjithë duhet të vijojnë punën pa u ndalur.
Gledis Nano u emërua zyrtarisht një ditë më parë si Drejtori i Ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nano është propozuar nga vetë Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Kandidatura ka shkuar në tavolinën e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka miratuar. Gledis Nano ka drejtuar më herët njësinë e Anti-Terrorit.