I diplomuar në FBI, kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit, bëri operacione të bujshme tek Antiterrori dhe Krimet.
Prej ditës së sotme, Policia e Shtetit ka drejtuesin e ri, 40-vjeçarin nga Skrapari, Gledis Nano. Me një karrierë 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, Gledi Nano vjen në këtë post të lartë pas dorëheqjes së Ardi Veliut.
Por, kush është kryepolici i ri, Gledis Nano?
E ka nisur karrierën në polici në vitin 2002, në Korçë, dhe ka mbajtur disa poste të rëndësishme. Prje vitit 2016, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Antiterrorit.
Për shumë vjet ka drejtuar sektorin e Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës. Më pas, u zhvendos në kryeqytet, ku u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.
Gledis Nano ka bërë disa operacione të vështira tek Antiterrori, siç ishte zbulimi i celulës terroriste në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, riatdhesimet nga kampi i ferrit në Siri “Al Hol”, etj. Në vitin 2017, ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI, në Virginia.
Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit dhe së fundmi në gusht të këtij viti u vlerësua dhe nga ambasada amerikane me certifikate vlerësimi. Aktualisht, Gledis Nano mban gradën drejtues i lartë, ndërsa pas emërimin merr gradën drejtues madhor.