SPAK është shtyrë që të hetojë kryebashkiakun në detyrë të Vorës, Gentian Picari nga Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Picari është kallëzuar penalisht për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, “Shpërdorim detyre” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. SPAK ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun socialist dhe depozitoi në GJKKO kërkesën për mos-kalimin e dosjes për gjykim.
Por, gjyqtarët e posaçëm kanë rikthyer dosjen në SPAK dhe e kanë urdhëruar këtë të fundit të kryejë hetime të thelluara për akuzat që koordinatori i LSI Vojo Bregu bëri gjatë zgjedhjeve, mëson Syri TV. Bregu në kallëzim shprehej se Gentian Picari kishte bërë punësime të paligjshme në administratë, në 73 raste, si dhe kishte urdhëruar rivlerësim abuziv për 43 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti.
Sipas LSI, në SPAK u dorëzuan prova se si Gentian Picari kishte punësuar 73 persona në administratë, në kundërshtim me ligjin dhe me vendimin e KQZ për të pezulluar punësimet deri në ditën e zgjedhjeve, por prokurori i çështjes Dritan Prençi vendosi pushimin e saj dhe moskryerjen e hetimeve shtesë.
Pas vendimit për mbylljen e hetimeve në datë 12 mars 2021, koordinatori politik i LSI-së për Vorën, Vojo Bregu kërkoi në Gjykatën e Posaçme, shfuqizimin e vendimit dhe detyrimin e SPAK që të kryente hetime shtesë.
Pas shqyrtimit të kërkesës pak ditë më parë, GJKKO vendosi që të rrëzojë SPAK, duke e detyruar që të kryejë hetime shtesë ndaj kryebashkiakut të PS. Sipas denoncimit të bërë nga Vojo Bregu, veprimet e kryetarit të Bashkisë janë bërë me qëllimin për të blerë vota.
Gjykata ka thënë se, SPAK nuk ka vlerësuar faktin që me firmë të kryebashkiakut Picari është kryer shtimi i administratës me 73 punonjës, veprim ky në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e KQZ-së të muajit dhjetor për të bllokuar të gjitha emërimet e reja deri pas zgjedhjeve.
Përsa i përket kallëzimit të dytë në lidhje me riklasifikimin e objekteve të dëmtuara nga tërmti, Gjykata ka urdhëruar SPAK që të bllokojë të gjitha dosjet e reja me vendimet e grupeve të ngritura nga Gentian Picari, të cilët kanë bërë fryrje të faturave të dëmeve.