Fragment nga libri i Marianne GRAF:
“Me raki mbyten hallet…”
“Nëse i zoti i shtëpisë është në gjendje të të ofrojë raki, kjo tregon se ai ka aftësi dhe di t’i trajtojë më së miri dhuratat e natyrës. Ndoshta mund të tingëllojë për të qeshur, por ajo që te ne në Austri, është Vinoteka, në Shqipëri është Rakiteka. Veç rakive të zakonshme të kumbullave, qershive dhe mollëve të egra, numërohen si të veçanta rakia që nxirret nga llojet e ndryshme të rrushit, rakia e manaferrave dhe ajo e boronicave”. Nuk duhen harruar as llojet e rakisë së zier nga mani i bardhë dhe i zi, nga frutet e luleshtrydheve dhe thanat e kuqe. Pikërisht, kjo e fundit, rakia e thanës, është një ilaç shtëpie e sprovuar për reumatizëm dhe dhimbjet e kokës. Shquhet në mënyrë të veçantë rakia e rrushit si qetësuese e stomakut.
Duhet nënvizuar se në malet e Shqipërisë Veriore rakia, është përgjithësisht, i vetmi medikament, përveç çajit. Rakia përdoret edhe si dizefektues tek njerëzit dhe kafshët, por edhe për ndrydhjet, për këputje mishi, për enjtjet, pickimet nga insektet, infeksionet e ndryshme, për masazh dhe fërkime si dhe për nxehjen e lëkurës dhe rregullimin e qarkullimit të gjakut. Esenca të veçanta të përziera me raki, psh nga sherbela, përdoren ndaj hemoragjisë së dhëmbëve, ngërçeve e shqetësimeve të tjera.
Pavarësisht se sa e shumëkërkuar është rakia, konjaku i Alpeve Shqiptare, si çdo gjë tjetër ka dhe anën e saj të dytë. Ajo ka, dhe këtë e përmendin dhe fjalët e urta, efekte shumë shkatërruese. Alkoli, si mjet i harrimit të hallit të çdo lloji, është fatkeqësisht i pranishëm në të gjitha shtresat e të gjitha vendeve. Pikërisht papunësia dhe frika për vetë ekzistencën, si dhe mungesa e optimizmit për të ardhmen, bëjnë që shumë të rinj t’i afrohen gotës. Te ne, në Perendim, dhënia pas drogës, vjen nga mendjelehtësia për jetën dhe për shkak të bollëkut. Ndërsa këtu në malësitë e Veriut, në mënyrë absurde thuhet “me raki mbyten hallet”…
(Nga libri i M. Graf: Shqiperia Veriore)
(foto ilustruese)














