Ditën e hene u bë i ditur lajmi për ndarjen nga jeta të Nehat Kullës i njohur ndryshe edhe si “Gjenerali” në kohën e trazirave të ’97-ës.
Ama mësohet se Kulla ka qënë po ashtu i infektuar me koronavirus ndërsa kujtojmë se disa javë më herët prej pandemisë ndërroi jetë vëllai i tij, Ramazan Kulla.
Lajmin për humbjen e 60-vjeçarit Ramazan Kulla për shkak të koronavirusit, e bëri me dije vetë Ministria e Shëndetësisë.
Kjo e fundit njoftoi se në 26 Prill, 60-vjeçari Ramazan Kulla humbi jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi” pasi ishte infektuar me Covid-19.
“Pacienti vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (Diabet Melitus, Kardiopatia Hipertensive, Nefropatia Diabetike, Obezitet).
Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë”, ishte ky njoftimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë për humbjen e Ramazan Kullës.
E ndërkohë që muaji Prill ka qenë muaji i izolimit total me urdhër të qeverisë, për mospërhapjen e virusit Covid-19, burime ekskluzive për gazetën “Reforma.com”, bëjnë me dije se në varrimin e Ramazan Kullës ka pasur të pranishëm mbi 1 mijë persona.
Kujtojmë këtu se pjesëmarrja në vendet apo evenimentet me shumë persona të pranishëm, ka qenë i ndaluar, pasi duhet respektuar ende distancimi social.
Edhe lëvizja e mjeteve apo lëvizja e personave nga një qytet në tjetrin ka qenë rreptësisht e ndaluar dhe masat ndëshkuese të vendosura nga qeveria dhe të bëra publike nga kryeministri Rama kanë qenë të ashpra, por mesa duket nuk kanë funksionuar.
Gjithashtu bëhet me dije se Kulla ishte pozitiv me COVID-19, infeksion të cilin e ka marrë nga vëllai i tij.
Ai u dërgua në Sanatorium në gjendje të rënduar dhe vështirësi në frymëmarrje.
Iu mor tamponi, por refuzoi që të shtrohej, edhe pse kishte pneumoni bilaterale intersticiale.
Mësohet se ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e sotme në orën 18:00. Nisur nga fakti që Kulla ishte pozitiv në COVID-19, varrimi i tij duhet të zhvillohet në protokolle sigurie të forta, ku ndalohet pjesëmarrja e shumë personave. Perg: Dd.Vm