Një fotografi që qarkullon në rrjetet sociale e tregon ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla në stacionin e trenave në Romë. Megjithatë është e paqartë koha kur është realizuar kjo fotografi.
Por sipas gazetarit Mentor Kikia, Llalla do të kërkojë azil në një shtet të BE-së. Ai thotë se me gjasë ish-kryeprokurori ka marrë me vete provat dhe intervistat e përplasjes së tij me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.
“E sigurtë është që nëse ai udhëton drejt ndonjë vendi të BE, në atë valixhe ka të gjitha intervistat edhe të ambasadorit të SHBA edhe intervistat që ka dhënë këtu, sepse ai nuk ka ikur për t’u arratisur, por për të kërkuar azil politik. Nuk kam informacion, bëj deduksion. Përplasja e tyre ka qenë publike, sot jemi përballë faktit që kemi zyrtarin më të lartë të drejtësisë shqiptare të dënuar, ky është një lajm i mirë. Unë nuk marr përsipër të them nëse është dënuar me apo pa të drejtë. Ka gjyqtarë që kanë dalë në proces vettingu me pallate dhe duhet të ishin aty. Ajo që unë druaj tani është që konfliti publik me ambasadorin amerikan do t’i japë atij mburojën aty ku do të shkojë. Beccheti fitoi një super gjyq me tre mesazhe telefoni. Unë mendoj që ka marrë me vete aq argumenta sa të ngrejë çështjen atje ku ka shkuar”, u shpreh gazetari Kikia në “Opinion”.
Kështu mendon edhe analisti Lorenc Vangjeli. Ai thotë se Llalla do të kërkojë azil në Hungari, por këto janë informacione që qarkullojnë të pakonfirmuara.
“Llalla ka dy beteja, atë penale e ka humbur. Ka dhe një betejë tjetër që ndoshta është më e rëndësishme se e para, që është beteja morale. E fiton nëse brenda një jave ai troket në dyert e policisë së shtetit dhe thotë “unë jam Adriatik Lllalla”, por besoj se kjo është larg asaj të njeriut ideal që do të donim të ishte kështu. Nëse do ta bënte një gjë të tillë, do fitonte betejën morale me sistemin e ri të drejtësisë. Kam dy tre burime, dhe kam përshtypjen se do të ndiqet një rrugë tjetër. Tentativa e një qenie njerëzore për t’iu shmangur burgut. Hungaria më thonë. Nuk e ka askush të konfirmuar”, deklaroi Vangjeli.