Gazeta zvicerane e shkruan shqip: Ju lutem vaksinohuni!
Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në faqen e saj të parë ka shkruar fjalë shqip.
Kjo është thirrje për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me Covid-19. “Ju lutem vaksinohuni!”,është shkrimi në faqen e parë të Blick.
Numri i pacientëve të shtruar në spitale në Zvicër është rritur me shpejtësi, ndërsa sips autoriteteve shëndetësore, numri i pacientëve me kovid është 30 herë më i lartë që prej muajit korrik.
Lidhur me vaksinimin ka folur mjeku shqiptar që punon në Luzerne, Florim Cuculi, thirrja e të cilit është në gjuhën shqipe. Ai u bën thirrje për tu bërë pjesë e procesit të vaksinimit që beteja me Covid-19 të mbarojë sa më shpejt.
Gazeta zvicerane e shkruan shqip: Ju lutem vaksinohuni!
Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.
Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, ka deklaruar se kjo ndodh sepse nuk zbatohen masat.
“Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick. Sipas Blick e cila citon OBSH-në, vendet ballkanike kanë një nivel të ulët vaksinimi.