“Koncert i Paqes” me tenorët e njohur, Kastriot Tusha, Josif Gjipali, Mariana Leka dhe ekspozita “Jo vetëm Apolonia” e fotografeve Saimir Ahmeti, Arben Alliaj dhe Mirseld Ylldisi mirëpritene në Barleta Itali, në kuadër të projeketit Turne / Final Event.
Në 10 qershor pas një viti e gjysmë ndërprerje të aktivitetit, Teatri “Curci” i Barletës, Itali hapi dyert për finalen e “Tournee” (Programi Interreg IPA Itali-Shqipëri-Mali Zi), ku tre artistët e shquar shqiptarë Josif Gjipali, Marjana Leka dhe Kastriot Tusha, shoqëruar nga orkestra italiane Magna Grecia, performuan magjishëm duke e përmbyllur me sukses këtë event.
Ky aktivitet erdhi pas një periudhe ndërprerjeje më shumë se një vit si pajojë e situatës pandemike, e cila bëri ndërprerjen edhe të Projektit.
Bashkia Fier, në cilësinë e Lead Partner në këtë Projekt, realizoi dy aktivitete domethënëse: Photo Expo “Jo vetëm Apolonia” dhe “Një Koncert për Paqen”.
Photo Expo – ekspozoi 42 foto të një bukurie të rrallë të natyrës, siteve arkeologjikë dhe faunës së veçantë të bregdetit Myzeqar, me shkrepje nga toka dhe ajri nga fotografët e qytetit të Fierit, Saimir Ahmeti, Arben Alliaj dhe Mirseld Ylldisi.
“Një Koncert për Paqen” – aktiviteteti i përbashkët i Bashkive: Barletta (Partner i Projektit “Tournee”) dhe Fier, ishte padyshim mbyllja më e bukur që mund t’i bëhej këtij projekti.
Kryesuese e delegacionit nga Bashkia Fier në këtë finale të rëndësishme ishte Zv/Kryetarja Enkelejda Peshkëpia, e cila u shpreh në lidhje me eksperiencën dhe rezultatet e këtij projekti me impakt në kulturë, art dhe turizëm të ndërsjelltë: “Eksperienca e Projektit “Tournee”, na sherbeu të gjithëve në mënyrë cilësore e në disa drejtime. Kjo eksperiencë, përveç përgjegjësisë së madhe të të qenit Lead Partner në këtë Projekt, na dha të kuptojmë më mirë se sa shumë mund të shërbejnë të tilla eksperienca të programeve të kooperimit Europian, në shkëmbimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërqytetare të Italisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi në jetën e përditshme, duke ndikuar cilësisht në jetën tonë artistike e kulturore, por edhe në një aspekt shumë më të gjerë”.
Pjesëmarrja e artistëve të shquar, Josif Gjipali, shumë i vlerësuar nga publiku italian e barez, Marjana Leka dhe Kastriot Tusha, mbyllën me duartrokitje të shumta dhe sukses të merituar këtë mbrëmje artistike dhe krejt projektin “Tournee”, përpara një publiku të etur për aktivitete kulturore, mbas një ndërprerje të gjatë e me pasoja që ka lënë Covid -19 në jetët tona.
Orkestra Magna Grecia me dirigjentin Piero Romano shoqëruan e interpretuan në mënyrë cilësore jo vetëm kryevepra të repertorit muzikor lirik italian, si: Verdi, Puccini, etj, por edhe këngë e vepra të shquara të autorëve shqiptare, Th. Gaqi dhe Vallen Sinfonike nr 2, apo këngët popullore të mirënjohura “Margjelo” e “Lule Borë”.