Fiks Fare/ Fadromat gërryejnë lumin Shkumbin, shteti mbush sirtarët me shkresa!
“Fiks Fare” i është rikthyer edhe një herë shfrytëzimit të lumenjve pa kriter. I tillë është dhe lumi Shkumbin i cili gërryhet në mënyrë të paligjshme nga fadroma dhe kamionë, që punojnë natë e ditë pa pushim. Këto mjete i përkasin firmës ‘Benardo’.
Për të kuptuar nëse kjo firmë ka leje shfrytëzuese gazetarët e Fiksit telefonojnë pronarin e firmës , të cilin në telefon ua kalon një shofer kamioni.Pronari urdhëron gazetarët e Fiksit të mos shkojnë buzë lumit Shkumbin atje ku ndodhen edhe mjetet duke punuar. Sipas tij lumi Shkumbin është pronë private dhe media nuk është askush.Duke ofenduar madje të gjithë grupin e xhirimit thotë të vijnë institucionet shtetërore të merren me këtë punë. Madje shoferi i kamionit kërkon t’i rrëmbejë kamerën operatorit të Fiksit për të fshirë xhirimet dhe për mos t’i lejuar të xhirojnë edhe më shumë masakrën që po bën kjo firmë në lumin Shkumbin. Pas njoftimit të gazetarëve në vendngjarje mbërrijnë edhe policia dhe IKMT . Sipas inspektorëve të IKMT kjo firmë ka leje rehabilitimi të fituar me vendim gjykate. Ndërsa inspektimin e kryen vetëm Agjencia e Baseneve Ujore.
Gazetarët e Fiksit shkojnë tek kjo agjenci për të pyetur. Drejtuesi i Agjencisë së Baseneve Ujore sqaron se firma ‘Benardo’ ka marrë leje rehabilitimi në vitin 2017. Në vitin 2019 lejet e rehabilitimit u hoqën për çdo firmë përfshirë edhe firmën ‘Benardo’. Ndërkohë me anë të një vendimi të Gjykatës të Shkallës së Parë Elbasan, kjo firmë i është rikthyer punës pavarësisht se çështja është në Apel. Drejtuesi i institucionit shtetëror nuk di të jap një shpjegim nëse firma në fjalë duhet të punoj apo jo! Gjithashtu drejtuesi i Agjencisë së Baseneve Ujore tregon për Fiksin se nga inspektimet e kryera në muajin korrik 2021 firma ‘Benardo’ rezulton që bën gërryerje të jashtëligjshme.Këtë relacion drejtuesi e ka nisur në IKMT dhe polici si dhe instancave të tjera vepruese, pasi Agjencia e Baseneve Ujore bën vetëm konstatime. Pavarësisht se kjo shkresë ka shkuar në IKMT e Përgjithshme, në IKMT Elbasan, e cila kryen verifikime në terren, nuk ka mbërritur akoma! Pra firma ‘Benardo’ me anë të fadromave vazhdon të gërryejë lumin Shkumbin,ndërsa institucionet me anë të shkresave mbushin pafund sirtarët e tyre!/Tch