Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga vrasja makabre e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier nga Klodian Çalamani, dhimbja për familjarët vijon të jetë ende e madhe dhe plagët do duan një kohë të gjatë që të shërohen. Ngjarja mori përmasa të mëdha dhe ndjeshmëria ishte gjithashtu e lartë, pasi i madh e i vogël në të gjithë vendin u solidarizua me familjarët e vogëlushit Mateo.
Për këtë arsye, në derën e familjes së Mateos ka mbërritur një i ri, piktor nga Elbasani, i cili me një gjest të vogël, por tejet domethënës i ka ofruar familjarëve një portret të Mateos së buzëqeshur. Bëhet fjalë për piktorin Geol Voci i cili ka takuar nënën, babain, gjyshen dhe vëllain e Mateos, ku kanë bërë edhe një foto. Mateo do vijojë të qëndrojë gjatë në memorien e shqiptarëve, ndonëse fati i tij tragjik e deshi që të largohej nga kjo botë kur sapo kishte hedhur hapat e parë.