Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kreun e Partisë Demokratike ka komentuar përplasjet brenda partisë më të madhe opozitare në vend.
Kadilli deklaroi në “A2 CNN” se përplasja do të zgjasë dhe nuk se nuk i shërben aspak demokratëve dhe qytetarëve.
“Më vjen keq për të gjithën që po ndodh në PD, pasi është një shpenzim energjisë të panevojshme. Sjellja e dy personaliteteve po shpenzon energjitë dhe po shfokuson fokusin nga goditja ndaj pushtetit dhe po degradon partinë. Akuzat e ndërsjella nuk i japin asnjë të mirë partisë, por tregojnë se partia është krejtësisht në konceptin e kryetarokracisë. Kemi një kryetar dhe asgjë tjetër nuk vlen. Nga ana tjetër kemi një ish-kryetar që sillet si kryetar ndaj kryetarit. Përplasja e këtyre të dyve për kapjen e karriges së kryetarit nuk i jep asnjë të mirë demokratëve, nuk i sjell asnjë të mirë qytetarëve sepse nuk kanë mbrojtjen e opozitës ndaj pushtetit.
Kjo duket se do të zgjasë, për sa kohë ish-kryetari ka nisur një fushatë. Ngjan si një luftë pallati. Të vërtetat që tentojnë t’i përdorin kundër njëri-tjetrit tregojnë se këta dy burra kanë ditur shumë dhe duhet t’i kishin vënë në dispozicion të politikës, të demokratëve dhe jo të intrigës së tyre politike. Besoj se kanë qenë të përgatitur për këtë moment”, u shpreh Kadilli.
Ish-kandidati për kreun e PD thekson se Berisha reagoi ndaj Bashës vetëm në momentin kur u prekën interesat e tij.
“Nuk mund të pranoj ish-kryetarin, i cili menjëherë sapo preket mbijetesa e tij politike e heq maskën dhe i nxjerr kryetarit çdo defekte që i kemi nxjerr ne kritikët apo sfidantët, të gjitha dyshimet e publikut, anëtarësia. Berisha do të thotë se i ka ditur, por i ka fshehur dhe kjo është mungesë përgjegjësie”.