Lush Osmani ‘fut në thes’ Rakip Sulin, 6 milionë euro tender të dyshimtë pas mbylljes së dosjes si pjesë e mafies së pronave
Teksa e gjithë vëmendje ishte fokusuar tek lufta në Ukrainë, Lush Osmani i ‘Shpresa.al’ dhe Rakip Suli i Kamzës kanë finalizuar një tender të dyshimtë me vlerë rreth 6 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderin për zëvendësimin e tubacionit nga Zall-Herri deri tek “Kafja e Remës”.
Dokumentet e këtij tenderi duhet të sekuestrohen nga SPAK për dy arsye.
Së pari, edhe pse vlera e tenderit është mbi 6 milionë euro, diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është vetëm 7 milionë lekë, tregues i një gare fiktive dhe i një pazari për të ndarë nga ky tender të paktën 2 milionë euro.
Së dyti, 6 kompani me përvojë në fushën e ndërtimit, kanë marrë pjesë formalisht në këtë procedurë, për të krijuar idenë e një gare, duke mos paraqitur dokumentet, në funksion të zbatimit të skemës së dyshuar për paracaktimin e fituesit.
Sipas burimeve, për fituesin e këtij tenderi është kujdesur posaçërisht kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i cili ka ruajtur linjat klienteliste të paraardhësit të tij, Rakip Suli.
Lush Osmani vijon të figurojë pronar i kompanisë ‘Shpresa.al’, çka sinjalizon se Osmani mund të ketë arritur ta mbyllë dosjen penale të grabitjes së pronave publike.
Në 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë pronarin e kompanisë ‘Shpresa.al”, Lush Osmani, i dyshuar si organizator dhe përfitues si skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.
Osmani u shpall në kërkim policor si i dyshuar edhe për përfitimin e një godine në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Por, siç ndodh zakonisht, edhe kjo dosje duket se është mbyllur në heshtje, larg vëmendjes së madias, publikut dhe institucioneve që monitorojnë prokuroritë dhe gjykatat.
Vetëm gjatë viteve të fundit, Lush Osmani ka marrë mbi 130 tendera me vlerë dhjetëra milionë euro, shumicën me flamur të kuq dhe të dyshimtë.
Një nga tenderët më abuzivë dyshohet ai i mirëmbajtjes rutinë i aksit rrugor Q. Mali-Fierzë, me vlerë rreth 2 milionë USD, firmosur nga Ergyes Verdho, një nga drejtorët më të akuzuar për korrupsionin në Shqipëri.
Aksi ka qëndruar më shumë i bllokuar se sa i hapur gjatë dimrit, tregues ky i moszbatimit të kontratës dhe ndarjes së parave publike.
Emri i Lush Osmanit lidhet edhe me privatizimin e dyshimtë të liqeneve, linjën me shërbim skandaloz dhe mizerabël Kamëz-Tiranë, koncensionin e ndryshimeve në automjete etj.











