Aktivistja e njohur, Evi Kokalari është e bindur se ndërtimi i kullës “Mali i Tiranës” në qendër të Tiranës që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme fsheh korrupsion shumë të madh ku janë të përfshirë të gjitha palët politike, por edhe media. Në një reagim në rrjetet sociale, Kokalari hedh akuza të forta për gazetarin Çim Peka pas intervistës së tij të fundit me ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Sipas saj, gazetari ka qenë pjesë e pazarit të kullës në mes të Tiranës ku përfundoi si marrëveshje për të shitur zgjedhjet lokale.
“Çim Peka intervista jote me Arben Ahmetajn është një turp i papare. Kur ke përballë një të korruptuar (me standardet e TV të Berishës), që kërkohet nga drejtësia dhe të thotë ty “dhe mund te me kthehet memoria, por për momentin nuk më kujtohet”, dhe ti nuk ja përplas ashtu siç duhet, thjeshte flet për nivelin gazetaresk tendin. Gazetar nuk je. Aktivist politik-po. Ti duhet te investigohesh nga SPAK për rolin qe ke luajtur në shitjen e zgjedhjeve lokale në këmbim të Kullës së Malit. Të gjitha takimet apo diskutimet e tua me Erion Veliajn duhet të investigohen. SPAK duhet të marrë në pyetje edhe Hajdin Sejdin. Si e mori Hajdin Sejdia token mbas Pallatit te Kulturës nga qeveria e Berishës në fillim ne 90s dhe si përfundoi kjo tokë në duart e Nova Construction. Kur të nxirrni konkluzionet e kësaj toke, filloni andej nga Orikumi”, denoncon Evi Kokalari.
Tek kulla del Shkëlzeni
Pak kohë më parë ajo tha se të ndërtosh pallate në Tiranë nuk ka asgjë të keqe, ama të shesësh votën e demokratëve që të mbështetën, për pazaret e familjes, jo vetëm është cenim brutal i demokracisë, por duhet në mënyre absolute të denoncohet në SPAK & DASH. “1-Ilir Shpufi është ortak dhe funksionon me paratë e Shkëlzen Berishës. Nëse jo, Nova Construction të bëjë publike të gjithë financat e kompanisë, hyrjet dhe daljet e parave për 15-20 vitet e fundit. 2-Ky projekt është paraqitur për aprovim tek Rama vitin e kaluar kur të gjithë politikisht po bëheshin gati për garat e Bashkive, dhe leja e ndërtimit është aprovuar ne 8 Mars 2023, vetëm një jave mbasi vula i kaloi PD zyrtare dhe Berisha refuzonte te bashkohej me ta me pretekstin qe nuk bënte pazare me Ramën siç bënte Alibeaj. Shanset janë që Këlliçi nuk ishte i vetmi që iu ofrua në pjatë të argjendë Ramës & Velias. Protestat para kryeministrisë po ngrinin pazarin.
Çdo bashki kishte një çmim. Ja u garantoj, në këto zgjedhje, këta që kryesuan opozitën, nuk lanë në tavoline vetëm bashkinë e Tiranës. Ne fakt, ky projekt është shumë me i madh, dhe vetëm nga kjo besoj se shanset janë këta nuk kanë shitur vetëm zgjedhjet e 14 Majit, por dhe 2025. Të ndërtosh pallate në Tiranë nuk ka asgjë të keqe, ama të shesësh votën e demokratëve që të mbështetën, për pazaret e familjes, jo vetëm është cenim brutal i demokracisë, por duhet në mënyre absolute të denoncohet në SPAK & DASH. Për sa i përket përgjigjeve të klanit te Berishës, jam e sigurt që kanë kohe që përgatiten për këtë situatë, prandaj e vetmja mënyrë për te vërtetuar që janë të pafajshëm, bëhet duke verifikuar që Shkëlzen Berisha dhe Ilir Shpufi s’kanë lidhje biznesi bashkë. Është kaq e thjeshte”, tha Kokalari.
Hetimet e SPAK
Altin Dumani konfirmoi vitin e kaluar se SPAK ka nisur hetimet për kullën në qendër të Tiranës. Çështja është hapur pas denoncimit të Partisë Demokratike e cila dorëzoi më 8 gusht të 2023 një padi duke i vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha provat që kanë siguruar. Në dosjen që ndodhet në tavolinën e SPAK përmenden të gjithë personat e përfshirë në aferë, që nga leja, si është financuar, cila është kompania, cilat janë të ardhurat e kompanisë, funksionarët që dyshohet se janë përfshirë në korrupsion pasiv në procedurat për ndërtimin e kullës. Mësohet se ky kallëzim është depozituar për 3 vepra penale, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.














