Eurozona drejt niveleve rekord të inflacionit– Çfarë rrezikon Shqipëria?
Adrian Civici
Inflacioni në Eurozonë duket se nuk po ndalet. Në vlerësimin paraprak të muajit mars ai rritet sërish, duke shënuar +7.5% me bazë vjetore. Çmimet e energjisë po e çojnë koston e jetesës në nivele dramatike. Por, cfarë rezikon eurozona dhe gjithë kontinenti europian me këtë nivel kaq të lartë inflacioni? Cfarë rrezikojnë edhe vende si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut që BE dhe Eurozonën e kanë partnerin kryesor të import-eksporteve të tyre, vecanërisht Shqipëria që rreth 75% të shkëmbimeve të saj tregëtare i ka me vendet e Bashkimit Europian?
Konflikti ushtarak në Ukrainë me gjithë efekteët direkte e indirekte të tij, ka ndërprerë zinxhirët globalë të furnizimit dhe ka ofruar një “peshë shumë rëndë” të re të paparashikuar për kostot tashmë në rritje të energjisë, veçanërisht në Eurozonë, vendet e së cilës janë shumë të varura nga gazi rus. Sipas Ch.Lagarde, “BQE është pranë popullit të Ukrainës, i cili ka pësuar një akt të tmerrshëm agresioni” dhe se lufta ka vënë në lëvizje faktorë të rinj inflacioni, dhe zona e euros nuk ka gjasa të kthehet në nivelet e inflacionit të periudhës para pandemisë.
Të dhënat evropiane nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë konfirmuar rezultatet e inflacionit të Spanjës, Italisë, Francës, Belgjikës, Hollandës dhe Gjermanisë të ditëve të fundit, të dhëna që dëshmojnë se inflacioni nuk ka ndërment të ndalet. Në Gjermani, inflacioni arriti në 7.6%, gjë e padëgjuar që nga ribashkimi, në Spanjë, rritja e cmimeve ishte edhe më e theksuar në mars: 9.8%, rritja më e madhe në 37 vjet dhe një rritje me dy pikë krahasuar me shkurtin.
Çmimet e energjisë u rritën me 44,7% krahasuar me marsin 2021, kundrejt +32,0% në shkurt. Ato të ushqimit, alkoolit dhe duhanit janë rritur me 5.0% në një vit, ato të mallrave industriale pa energji me 3.4% dhe ato të shërbimeve me 2.7%, specifikon Eurostat. Cmimet referuese të naftës së papërpunuar u rritën në nivele të papara për gati një dekadë, në më shumë se 110 dollarë për fuçi, pas vendimit të vendeve eksportuese të OPEC +, të kryesuar nga Arabia Saudite dhe Rusia, për të mos rritur prodhimin e tyre më shumë se sa pritej.
Rekord edhe për çmimin evropian të referencës së gazit natyror, TTF holandez, me 194,715 euro për megavat orë (MWh). Çmimet e bluarjes së grurit dhe misrit – nga të cilat Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë – janë gjithashtu në nivelet më të larta në Evropë, ashtu si vajrat e sojës dhe palmës. Toni i aluminit, nga i cili Rusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë, gjithashtu arriti kulmin të mërkurën në 3,580 dollarë në Londër, një nivel historik.
Skenari i inflacionit të lartë në eurozonë është frikësues
Të gjitha shifrat janë më të larta se objektivi i inflacionit prej 2% i vendosur nga BQE. Mesazhet e rritjes së inflacionit po diskutohen dhe interpretohen edhe në fokusin e veprimeve të pritshme të BQE për të filluar ndryshimin e kahut të politikës saj monetare drejt shtrëngimit dhe dhënies fund, mbas më shumë se 30 muaj normash interesi negative ose zero.
Inflacioni vjetor i Eurozonës vazhdon të prekë rekord pas rekordi.
Sipas vlerësimit më të fundit të të Eurostat, Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian, nëntëmbëdhjetë vendet që ndajnë monedhën e përbashkët do të kenë një rritje vjetore të çmimeve të barabartë me 7.5%. Vlerësimi i marsit çon në një rritje të re nga 5.9% e regjistruar në shkurt. Normat e regjistruara muajt e fundit shënojnë nivelet më të larta të inflacionit që nga futja e euros, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin e Bankës Qëndrore Europiane (BQE) për të mbajtur inflacionin brenda nivelit 2%.
Inflacioni në Eurozonë do të ndikohet ndjeshëm në ditët dhe javët në vazhdim nga çmimet e energjisë, të cilat sipas vlerësimeve të muajit mars duhet të rriten me 44.7%, me një rritje të re krahasuar me 32% në raport me muajin shkurt.
Mallrat e tjera për të cilat pritet të ketë rritje çmimi, do të jenë ushqimet, pijet alkoolike dhe duhani (5,0%, krahasuar me 4,2% në shkurt), të ndjekur nga mallrat industriale joenergjetike (3,4%, krahasuar me 3,1% në shkurt) dhe shërbime (2.7%, krahasuar me 2.5% në shkurt). Pritet të rritet kostoja e energjisë me 44.7%. Në Itali, p.sh., vetëm gjatë muajit mars 2022 ka patur një rritje të konsiderueshme të çmimeve : gjalpi + 12%; makaronat 11%; peshku dhe frutat e detit + 10%; mielli + 9%; margarina + 7%; frutat e freskëta + 7%; mishi i pulës + 6%; Në një vend si Italia ku 85% e mallrave kanë një transport të gjatë për të arritur në raftet e supermarketeve, rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës ka një efekt orteku në kostot e bizneseve dhe në shpenzimet e konsumatorëve me rrezik për të nxitur psikozën e stoqeve dhe spekullimeve. Rritja e kostove shtrihet në të gjithë zinxhirin agroushqimor, nga fushat në industrinë e përpunimit te konservimi.
Grafiku i Eurostat tregon qartë tendencën alarmante të rritjes së cmimit të energjisë
Megjithëse energjia është shtytësi kryesor i kësaj rritje, inflacioni në ushqime, shërbime dhe mallra të qëndrueshme tashmë ka dalë mbi objektivin prej 2% të BQE-së, një provë tjetër se rritja e çmimeve është gjithnjë e më e gjerë dhe jo thjesht një reflektim i naftës së shtrenjtë. Çmimet bazë, të cilat filtrojnë paqëndrueshmërinë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, janë përshpejtuar gjithashtu, duke rritur rrezikun e “rrënjosjes strukturore” të inflacionit të lartë, një fenomen i vështirë për t’u ndryshuar në një periudhë afat-shkurtër.
Sa grurë dhe misër prodhojnë Ukraina dhe Rusia
Ukraina njihet si “hambari i Evropës”. Historianët e dinë mirë këtë: Gjermania naziste derdhi fuqinë e saj ushtarake drejt Lindjes edhe për faktin sepse donte të siguronte burimet e saj ushqimore dhe të shmangte makthin e Luftës së Parë Botërore, kur qytetet gjermane u gjendën shpejt në kthetrat e urisë.
Edhe sot, një e dhjeta e grurit të butë dhe 13 për qind e misrit në botë vjen nga Ukraina: vetëm vendet evropiane importojnë më shumë se gjysmën e nevojave të tyre për misër nga Ukraina. Një fluks me vlerë rreth 30 miliardë dollarë. Pothuajse i gjithë porti i Odesës, i bllokuar nga konflikti me Rusinë. Për më tepër, ajo kontrollon 19 për qind të eksporteve botërore të grurit të butë, të cilave u shtohen vajrat vegjetale (pothuajse 50 % të importeve në nivel BE nga Ukraina. Bashkë me Rusinë arrihet në 80 % e furnizimit botëror) dhe plehratkimike, veçanërisht nga Rusia, e cila prodhon më shumë se 50 milion ton plehra kimike në vit, 13 % e totalit botëror, ndërkohë që ka bllokuar eksportet pas sanksioneve.
Nuk mungojnë gruri dhe misri vetëm për shkak të luftës. Vetë Ukraina ka siguruar se është në gjendje të “shpëtojë” të paktën 70 % të të korrave dhe ta çojë atë në Evropë përmes rrjetit hekurudhor, pavarësisht faktit se mund të përballojë të lëvizë rreth 500,000 tonë në muaj, krahasuar me 5 milionë ton që i realizonte me rrugë detare me anije. Për më tepër, Bashkimi Evropian mbulon vetëm 15 % të importeve totale të drithërave me furnizime nga Ukraina dhe 5 për qind nga Rusia. Gjithashtu, për kulturat proteinike me origjinë ukrainase, të përdorura për ushqim, në nivel evropian importi luhatet midis 4 dhe 8 për qind.
Këto nuk janë shifra që tregojnë një varësi nga Evropa Lindore. Në çdo rast, prodhimi botëror i Shteteve të Bashkuara (misër dhe grurë), Australisë (gruri), Brazilit (misrit) do të ishte ende i mjaftueshëm për të mbushur boshllëqet, megjithatë, në periudha të ndryshme të vitit, duke pasur parasysh të korrat e shkëlqyera të Australisë, por, kur kalohet në mënyrë të menjëhershme e të sforcuar në tregje të tjera shumë më të largëta, ka kosto shtesë që lidhen me logjistikën dhe kontratat.
BQE ndodhet në udhëkryq : të ndërhyjë për çmimet apo jo?
Në përpjekje për të ringjallur ekonomitë e tyre dhe për të përballuar efektet e pandemisë, bankat qendrore kanë “kontribuar” në rritjen e çmimeve. Politikat e “lehtësim sasior” të ekonomisë synuan të injektojnë fonde të reja në sistem me blerjen e letrave me vlerë nga ana e bankave qendrore. Më shumë para në qarkullim, më shumë kapacitet konsumi, më shumë kërkesë dhe për rrjedhojë edhe çmime më të larta.
Problemi është, se në një periudhë krize serioze, siç është ajo e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, por dhe efektet e krizës globale financiare e vitit 2008, politikat monetare ekspansioniste janë vendimtare për të mos mbytur rimëkëmbjen ekonomike. Në këtë rast, vështirësia e madhe është të kuptosh se sa larg është e nevojshme të “shkohet” me lehtësimin sasior, duke mbështetur rritjen ekonomike pa shkaktuar rritje të çmimeve.
Të gjitha të dhënat dhe tendencat e inflacionit në përgjithësi dhe cmimeve specifike në vecanti e po e vënë BQE-në në një dilemë të vështirë politike : rritja e normave të interesit për të qetësuar inflacionin apo përballja me rrezikun e frenimit të rritjes ekonomike në një ekonomi europiane që sapo kishte filluar të jepte sinjale pozitive për rrikthim në rritje ekonomike të qëndrueshme mbas periudhës së vështirë të pandemisë së covid-19?
BQE vlerëson se rritja në tremujorin e parë të vitit 2022 ka qenë pozitive, ndërsa rimëkëmbja në tremujorin e dytë do të jetë afër zeros, pasi çmimet e larta të energjisë ndikojnë në konsum dhe dëmtojnë investimet e biznesit. Kjo situatë ka ngjallur demonët e frikës së rënies në një gjendje stagflacioni, në të cilën inflacioni i lartë shoqërohet me rritje ekonomike shumë të ulët ose dhe stanjacioni. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore përse BQE po heziton të veprojë me instrumentin e saj kryesor të politikës monetare që është rritja e normës bazë të interesit për euron.
Sipas Ch.Lagarde : “Banka Qendrore Evropiane është e gatshme të tërhiqet nga planet e saj të stimulimit monetar, nëse është e nevojshme përballë rreziqeve të shkaktuara nga lufta .. agresioni rus i Ukrainës” e sjell ekonominë evropiane në një territor të panjohur.. megjithëse ka arsye për të besuar se inflacioni bazë – neto nga çmimet e ushqimit dhe energjisë – do të priret të ngadalësohet” në një periudhë afat-mesme.
Rreziku i stagflacionit? BQE nuk dëshiron ta besojë këtë për momentin. Ch.Lagarde pranon se perspektiva po “ndryshon”. Një konflikt i zgjatur në Ukrainë do të vazhdojë të rrisë çmimet e energjisë dhe koston e jetesës në Evropë. “Është e qartë se sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më të larta do të jenë kostot ekonomike dhe aq më të mëdha do të jenë gjasat për një perspektivë të pafavorshme”, paralajmëroi kreu i BQE. Një skenar i tillë do të kërcënonte rajonin me “stagflacion”, një situatë ekonomike e kombinuar me inflacion të lartë dhe stanjacion ekonomik.
Banka e Anglisë ka vendosur të rrisë sërish normat e interesit nga 0.5% në 0.75%, ashtu siç pritej gjerësisht nga tregjet monetare dhe investitorët. Vendimi është shpjeguar “si një masë për të kundërshtuar rritjen rekord të inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar”. Ndërkohë, sipas parashikimit të ekspertëve dhe institucioneve të specializuara në këtë fushë, “ekziston rreziku që inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar të arrijë një kulm prej 8% gjatë vitit 2022.
Edhe Fed, Banka Qëndrore Amerikane, vendosi të rrisë normat e interesit me 0.25% për të përballuar rritjen graduale të inflacionit që është rritur në SHBA në 7.9%. Fed ka njoftuar gjithashtu dhe parashikimet për disa rritje të tjera të normës së interesit gjatë vitit 2022. Të gjitha Bankat qendrore po përballen me “lojën e vështirë të balancimit” që synon të ekuilibrojë frenimin e rritjes së cmimeve pa shkaktuar pasoja të tepruara në rritjen ekonomike, tashmë të ekspozuara ndaj faktorëve të rinj të pasigurisë.
Çfarë rrezikon Shqipëria nga spiralja inflacioniste në BE dhe Eurozonë
Por, cfarë rezikon eurozona dhe gjithë kontinenti europian me këtë nivel kaq të lartë inflacioni? Gjithashtu, cfarë rrezikojnë edhe vende si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut që BE dhe Eurozonën e kanë partnerin kryesor të import-eksporteve të tyre, vecanërisht Shqipëria që rreth 75% të shkëmbimeve të saj tregëtare i ka vendet e Bashkimit Europian? Shqipëria realizoi në vitin e kaluar, kryesisht nga importet me Rusinë dhe Ukrainën, vetëm 2.7 përqind të volumit të tregtisë së jashtme ose 157 milion euro.
Shqipëria ndodhet në varësi indirekte në rritje prej tregjeve të Rusisë dhe Ukrainës, pavarësisht që volumi tregtar me këto dy vende është i ulët. Shqipëria importon grurë dhe miell për të plotësuar nevojat e saj. Pjesën më të madhe, rreth 50 përqind, e importon nga Rusia dhe Ukraina. Pjesën tjetër nga Serbia, Rumania dhe Bullgaria. Prodhimi nga fermerët vendas arrin vetëm 250 mijë ton grurë në vit. “Fabrikat e mëdha të miellit në Shqipëri po kërkojnë të marrin grurë nga Franca, Hungaria dhe Rumania në një kohë kur çmimi i grurit në bursë është rritur me më shumë se 50 dollarë për një ton duke shkuar nga 295 në 345 dollarë. Kjo rritje shtohet edhe më tepër me koston e transportit detar”.
Në vitin 2021 Shqipëria importoi 12 përqind të sasisë së naftës që i duhet vendit nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por përpunohet në rafineritë italiane. Vitin e kaluar importi i naftës dhe gazit arriti në rreth 1 milion ton, ku gati 70 përqind ishte naftë. Nafta në tregun vendas po shënon tani shifra rekord. Cmimet e larta dhe inflacioni në rritje të vazhdueshme në Eurozonë bën që rreziku i inflacionit të importuar në Shqipëri të jetë evident.
Tashmë Banka e Shqipërisë e ka dhënë sinjalin e parë të rëndësishëm në përpjekjet e saj për të frenuar rritjen e cmimeve dhe inflacionit, duke rritur normën bazë të interesit për lekun me 0.5 pikë përqindje duke e çuar atë në nivelin 1%, lëvizje që shënon rritjen e parë të normës bazë të interesit në ekonomi që prej marsit të vitit 2011. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë edhe rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore nga 0.9% në 1.9%, ndërsa mbajti të pandryshuar normën e interesit të depozitave njëditore në 0.1%.
Duke argumentuar vendimin për të rritur normën bazë, Guvernatori Sejko, tha se goditja inflacioniste që ka shkaktuar sulmi i Rusisë në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeskionet e mëparshme. Inflacioni pritet të jetë i lartë dhe sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.
Sipas Bankës Shqipërisë “ Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror”.
“Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022.
Sipas DW, referuar Z.Jaka, kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, “në skenarin më të keq, pra në ndërprerjen totale të gazit nga Rusia, ekonomia e Europës do të pësonte rënie me 3 përqind. Si pasojë e një efekti zinxhir të rritjes së mimeve edhe ekonomia shqiptare do te afektohet nga ꞔmime më të larta për lëndët e para dhe ndihmëse që nga plehrat kimike, industria prodhuese që bazohet në importin e lëndëve të para , makineri dhe pajisje…E vetmja mënyrë për të shmangur shtrenjtimin e mëtejshëm të bukës do të jenë masat mbështetëse shtetërore. Kompanitë tregtare dhe grosistët po mundohen të gjejnë burime të reja furnizimi nga Franca, Argjentina, Rumania, Hungaria. Çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Ndërkohë, në këtë moment, importuesit kanë nevojë për likuiditete të mëdha, në mënyrë që të ndryshojnë burimet e furnizimit dhe të përballojnë çmimet e larta…”.