Sot në aktivitetin online “Dialogu Global i Liderave të Drejtësisë” nën kryesinë e Ministrit të Drejtësisë së Kanadasë, mora pjesë bashkë me 22 Ministra të Drejtësisë nga e gjithë bota dhe një sërë përfaqësuesish të institucioneve qendrore, për të ndarë praktikat më të mira për të siguruar aksesin në drejtësi gjatë pandemisë së COVID-19.
Theksova se angazhimi i qytetarëve dhe besimi i tyre në sistemin e drejtësisë është thelbësor. Jam e bindur se #OGP do të mbështesë një drejtësi më të mirë, që sistemi të ulë korrupsionin dhe të sigurohemi që të gjithë njerëzit të kenë qasje tek drejtësia.
Është një nder i veçantë për mua personalisht, por edhe për Shqipërinë që përfaqësoj, që të jemi pjesë aktive e një partneriteti kaq të madh, i cili thekson angazhimin tonë maksimal për të bërë më të mirën në këto kohë të vështira për të gjithë botën.
Është me shumë rëndësi për Qeverinë Shqiptare në tërësi dhe më konkretisht për Ministrinë e Drejtësisë, forcimi i funksioneve bazë të qeverisjes, përmes transparencës së plotë dhe llogaridhënies në ndërmarrjen e reformave të fuqizimit të shtetit. Shqipëria është krenare kur konfirmon se reforma jonë unike e drejtësisë, si dhe lufta e saj kundër korrupsionit shkojnë krah për krah me angazhimet tona për të garantuar një qeveri të hapur dhe forcimin e përgjegjësisë në garantimin e drejtësisë.