Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar sot kërkesën e Furnizuesit të Shërbimit Universal për vendosjen e fashës mbi 800 këh dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike në 42 lekë për kilovat, pa TVSH.
Më herët KESH miratoi tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kwh/muaj, të jetë 34.3 lekë/Këh, ndërsa për konsumatorët e tjerë do shitet aq sa tani 2.4 lekë kilovati. FSHU kërkoi rritjen e çmimit të energjisë nga ERE.
Aplikimi i çmimit të ri do të nisë nga 1 Tetori deri në 31 Dhjetor.
Sekretari i bordit të ERE shpjegoi se si do të ndryshojë çmimi në faturën e konsumatorëve:
“Nëse vendosim çmimin 42 lekë për kilovat, fatura do të ndryshojë në këtë mënyrë, marrim si shembull konsumin familjar në vlerën 850 kilovat në muaj:
-800 kilovat do të faturohen 9.5 lekë për kilovat
50 kilovat do faturohen me 42 lekë për kilovat
Shtohet 1940 lekë TVSH dhe 100 tarifa e televizionit. Fatura do të shkojë 11.740 lekë”, u shpreh ai.
Deputetja e Partisë Demokratike kundërshtoi nismën duke kërkuar që qeveria të tërhiqet nga vendosja e fashës për konsumatorët familjarë dhe bizneset, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur rritet prodhimi i energjisë hidrike.