Nga Elton Qyno:
Një konflikt i nisur gati 1 vit e gjysëm më parë në ambjentet e Bar-Kafe “Piazza” në Fier dyshohet të jetë bërë shkak për vrasjen me 16 plumba të biznesmenit, Demir Backa në Fier.
Ky i fundit është konfliktuar me një nga personazhet e njohur të botës së krimit në Fier, me inicialet A.I, ku Backa e ka qëlluar me pëllëmbë dhe grushte.
Ky moment ka sjellë nxehjen e gjakrave mes të dyja palëve, ku edhe pse ka pasur tratativa për të shuar vijushmërinë e konfliktit, në fakt A.I, nuk ja ka falur.
Megjithëse policia beson se vrasja është kryer nga një skuadër nga Vlora, e mirëorganizuar dhe me eksperiencë në vrasjet me pagesë, konflikti në fjalë është një nga pistat kryesore që po heton policia e Fierit për të zbardhur ngjarjen e rëndë.
Ky konflikt njihej nga policia e qytetit dhe banorët e Fierit, por çuditërisht asnjëra nga palët nuk kishte pranuar të bënte denoncim në polici dhe prokurori.