Kush është deputetja e re që zëvendëson Mark Markun/ Si ndërroi 3 parti në 3 vite.
Dorëheqja e Mark Markut nga lista e deputetëve të qarkut të Lezhës pritet të lërë një vend bosh në Kuvend në radhët e PD-së, shkruan newsbomb.al. Sipas burimeve në PD, mandatin e tij pritet ta marrë një vajzë e re, Elda Hoti, e cila renditet e 9-ta në listën e Lezhës.
Po Hoti dhe pse shumë e re ka një histori interesante në politikë. Ajo ishte pjesë e listës së LSI-së në zgjedhjet e 2017-ës dhe kur LSI e PD dorëzuan mandatet ajo nuk iu bind vendimit politik, por pranoi mandatin e deputetes dhe u betua në Kuvendin e Shqipërisë më 13 mars.
Edhe pse është e 9-ta në listë, numri i votave personale e favorizon për t’u futur në Kuvend.
Më tej, ajo zgjodhi të mbështeste një parti tjetër në zgjedhjet lokale të vitit 2019 duke nënshkruar për Alenancën Kuq e Zi në KQZ. Hoti doli garant për listën e Aleancës Kuqezi në 25 bashki për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Hoti ishte kandidate për deputete në Lezhë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, shkruan newsbomb.al. Pas marrjes së mandatit ajo u përjashtua nga partia pasi doli kundër aksionit të ndërmarrë nga opozita për djegien e mandateve më 21 shkurt.
Lexo edhe: Mark Marku lë mandatin e deputetit: PD po shndërrohet në Parti interesash personale
Por në 25 prill 2021 ajo ishte ylli i ri i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, një listë që e kryesonte Mark Marku me një fushatë që shënoi rezultat shumë të mirë për PD-në.
Pas deklarimit për dorëheqje nga mandati i deputetit pritet që Marku të zëvendësohet pikërisht nga Hoti, që puna e parë në jetës e saj ka qenë puna si deputete.
Ja si e prezantonte ajo veten në këtë garë:
“Unë jam Elda Hoti! Kandidate për deputete e Partisë Demokratike, në qarkun e Lezhës! Numri 9, është numri im i fatit dhe fati deshti, që unë dhe Partia Demokratike të kemi një numër #9. Të gjitha vajzave të reja që më shohin: kurrë mos dyshoni nëse jeni të zonjat, të fuqishme, apo nëse vërtet meritoni çdo shans, apo mundësi në botë për të ndjekur e për të realizuar ëndrrat tuaja.”