Shkruar në përralla
Dikur, diku, jetonte një mbretëreshë e bukur, lozonjare. I thoshin që kishte buzëqeshjen më të bukur në botë….
Lodronte ajo nëpër përralla, aty ku nuk kishte shkelur njeri. Qeshte dhe gëzonte…
….Prit pak. Një mbretëreshë shkruhet e bukur nëpër motivin e jetës, shkruhet nëpër buzëqeshje, dhimbje…depërton e bukur….
Dhe endej ajo , e lumtur. Endej nëpër dëshira dhe kumbonte mirënjohje për jetën, lulet, natyrën. Kumbonte ajo me zërin e saj qiellor dhe bënte yjet t’i buzëqeshnin. Vraponte ajo dhe kuvendonte me hënën t’i këndonte këngën e jetës, të dashurisë…
E tek vraponte puthte shiun që çadër i ishte bërë sakrificave të saj dhe mirënjohje i thurrte ëndrrës së bukur…
Diku më tej…
Një tufë tulipanësh të bardhë gërshetoheshin t’i bëheshin kurorë e t’i dhuronin bukuri të përjetshme…
Dhe endej ajo….mbretëresha e shkruar në përralla, e puthur me jetën dhe me dashurinë e saj….
Ende endet ajo….nëpër kurora lulesh merr nektarin për të formësuar një botë tjetër, pa hipokrizi, pa dështime, pa rrudha trishtimesh….dhe endet ajo në botën që po e ndërtojnë ëndrrat e saj….
Në krah nuk ka si t’i mungojë AI…..që piedestalin e ndërtoj heshturazi për më të bukurën e tij….
Ende endet ajo….
Edmira Xhaferi
Maj 2023