Nga Vladimir Muçaj:
Editorial: Midis gjykimit dhe paragjykimit – rasti Balluku dhe rreziku i një precedenti të gabuar
Prej javësh sy e vesh të opinionit publik janë drejtuar nga Gjykata Kushtetuese. Shumë pyetje, shumë hamendësime, e fatkeqësisht edhe shumë mllef i shfryrë me lehtësi. Rasti i zv/Kryeministres Belinda Balluku është shndërruar në sheshbetejë politike, ku secili aktor – vendas apo i huaj – kërkon të nxjerrë kapital, të ndërtojë imazh, apo të zhdukë kundërshtarin.
Opozita, e cila prej kohësh vuan nga mungesa e idesë, e drejtimit dhe e besueshmërisë, kërkon mbi gjithçka që masat shtrënguese ndaj Ballukut të qëndrojnë. Jo për drejtësi, por për propagandë. Ata kanë nevojë për një emër të madh në rrjetë, që të mbulojnë boshllëkun e vet politik dhe moral.
Por jo vetëm opozita. Brenda vetë kampit qeveritar zërat janë të ndarë: një pjesë kërkon heqjen e masave, ndërsa një pjesë tjetër, në heshtje dhe nën hijen e xhelozive të vjetra politike, mezi pret që kjo çështje t’i japë fund karrierës së saj. Politika jonë është e tillë: aleancat ndryshojnë më shpejt se moti, dhe njerëzit përmbysen jo nga drejtësia, por nga ambiciet.
Si gazetar – njësoj si shumë kolegë të mi – mund të them me bindje se e vetmja përpjekje e imja është të afrohem sa më shumë me të vërtetën. Ballukun e kam takuar vetëm dy herë, në fushatën e 11 majit në Fier, së bashku me kolegët e tjerë. Nuk më lidh as pushteti, as partia. Madje, në editorialet e mia kam qenë shpesh kritik ( gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre). Mirëpo kritika është një gjë; padrejtësia është tjetër.
Duke ndjekur me vëmendje reagimet e shumta – majtas, djathtas, dhe të njerëzve pa angazhim politik – vërej se shumë analistë, madje edhe kritikë të zjarrtë të Qeverisë Rama, e konsiderojnë masën ndaj Ballukut ekstreme dhe antikushtetuese. E njëjta është edhe qasja ime: ajo çka është ndërmarrë duket më shumë si një masë e regjisuar sesa një masë e matur institucionale.
Po flasim për standarde? Atëherë le t’i kujtojmë. Berlusconi u hetua për 10 vite me radhë, por drejtonte qeverinë italiane. Sarkozi u hetua për 7 vite, por institucionet funksionuan pa u shndërruar në armë politike. Në Shqipëri, përkundrazi, shpesh duket se masa merret para se të merret vendimi, dhe opinioni gjykohet para se të gjykojë gjykata.
Ky është një rrezik serioz për shtetin e së drejtës. Gjykata Kushtetuese duhet ta ndajë këtë çështje me qetësi dhe profesionalizëm, jo vetëm për rastin Balluku, por për precedentët që mund të krijojë. Nesër, me të njëjtin standard, mund të goditet kushdo – sot Belinda Balluku, nesër dikush tjetër.
Kam edhe një mendim personal, të cilin e ndaj me rezervë, por që gjithsesi ka lidhje me realitetin. Drejtësia e re, me gjithë përpjekjet dhe pritshmëritë, ende nuk ka prekur thelbin: zinxhirin 35-vjeçar të korrupsionit të ngritur nga burrat e politikës shqiptare. Gratë që dalin sot në hetim – nga të gjitha krahët – nuk janë krijuese të sistemit, por shpesh viktima të tij, pjesë e një mekanizmi që e kanë trashëguar, jo ndërtuar.
Korrupsioni është ulur këmbëkryq në këtë vend. Po aq e rrezikshme sa korrupsioni është edhe drejtësia që funksionon me regji, me shfaqje, me statistika. Nuk mund të kemi një drejtësi të re të vërtetë nëse vazhdojmë me metoda të vjetra.
Rasti Balluku është një provë për drejtësinë. Një provë për politikën. E mbi të gjitha, një provë për ne si shoqëri: nëse duam drejtësi, apo thjesht nje kurban politik të radhës.!… Belinda Balluku duhet të kthehet në detyrë një sahat e më parë permes Gjykatës Kushtetuese! Drejtesia te vijojë me rregulla dhe standarte!..












