Vendimi për Berishën/ Rama shfaqet i butë me median: Ne jemi shumë lart
Kryeministri Edi Rama u shfaq krejt ndryshe para mediave, duke folur butë dhe duke premtuar se nuk do i sulmojë.
“U uroj punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut, unë do të angazhohem personalisht që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve që e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime interesa dhe ambicie që mund të jenë dhe të natyrshme.
PS e ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimit të saj, duhet të ndjejë në çdo qelizë që të çojë Shqipërinë në nivel tjetër, dhe sa pak e rëndësishme janë këto të tjerat,” tha Rama.
Rama ka zgjedhur që të anashkalojë dhe të mos japë përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
“Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh sesi do të shkonin zhvillimet në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të shtetit. PS e ka të vështirë që të shikojë nga lart poshtë, ne jemi lart dhe do të shikojmë përpara dhe kush do që të bashkohet me ne është i mirëpritur”, ka thënë ai.