Rritja e çmimeve në vend, Rama: Nuk i përcakton qeveria, çmimi i energjisë për familjarët është nën koston reale.
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të premte e ka nisur duke i’u përgjigjur qytetarëve në lidhje me rritjen e çmimeve dhe krizës energjitike.
Rama tha se çmimi i energjisë për familjarët është nën koston reale dhe kjo është falë masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit. Më tej kreu i qeverisë tha se çmimet në treg nuk i përcakton qeveria por kërkesa dhe oferta.
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës së pari, është naftë e rëndë ajo që prodhon dhe shkon për tregun ndërkombëtare. Rreth 600 mijë ton janë nën produktet që vijnë nga importi. Ne prodhojmë vetëm një pjesë të energjisë që konsumojmë, kjo na ndihmën që të kemi në çmim të rregulluar. Sot që flasim çmimi i energjisë për familjarët është një çmim nën koston reale, falë masave të marra për mbrojtjen e konsumatorit.
Çmimet e mallrave në treg i përcakton kërkesa dhe ofertën jo qeveria, vetëm në diktaturën komuniste i vendos qeveria. Për sa kohë flasim për mallra që i blejmë në tregjet ndërkombëtare siç janë energjia dhe nafta, çmimet janë njësoj si në Spanjë si në Shqipëri”, tha Rama.
Gjithashtu ai shtoi se para tetë vitesh, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet çmimi i naftës ka qenë më i lartë.