Gjendet vogëlushi 2-vjeçar i cili kishte humbur në pyll dhe kaloi një natë të tërë i vetëm.
Tiani, vetëm 2 vjeç, nga Kosova është gjetur gjatë ditës së sotme.
Lajmin e bën me dije biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli, i cili na njeh edhe me heroin që i shpëtoi jetën vogëlushit.
“Momenti kur heroi i sotëm, Astrit Kryeziu, gjeti Tianin e vogël në pyll.
Askush nuk duhet të gjykojë prindërit.
Kjo mund ti ndodhë secilit!”, shkruan Pacolli.
Tian Krasniqi, nga Tërpeza e Malishevës, u deklarua i humbur qysh dje nga familja e tij. Familjarët kërkuan ndihmën e qytetarëve për kërkime dhe për gjetjen e tij.
Policia, FSK-ja, ekipet e kërkimit të njësisë së zjarrfikësve dhe shpëtimit, e vullnetarë të shumtë u vunë në kërkim të vogëlushit, i cili për fat të mirë u gjet shëndoshë e mirë, pasi kishte kaluar natën fillikat i vetëm në mes të pyllit.
Ai humbi nga shtëpia e xhaxhait të tij, në një moment kur ishte duke luajtur me fëmijët e tjerë. Rasti solli një mobilizim mbarëkombëtar në Kosovë e jo vetëm, e për fat të mirë, ai ndodhet pranë familjes së tij.