Babai e kërcënoi me pushkë, 25 vjeçari shqiptar e qëllon me thikë dhe i merr jetën.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, njoftoi sot se një vrasje ka ndodhur dje në fshatin Vraneshnicë të Kërçovës.
Sipas policisë, djali 25-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, ka qëlluar me thikë babanë 48 vjeç, që më vonë ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
“Më 16.06.2021 në fshatin Vraneshnica të Kërçovës, zyrtarët policorë të SP Kërçovë kanë privuar nga liria A.K (25), për shkak të dyshimeve se rreth orës 20:30, në shtëpinë e tij me thikë i ka shkaktuar lëndime të atit të tij J.K (48), i cili më vonë ka humbur jetën. Pas ndërmarrjes së masave është vërtetuar se rasti ka ndodhur pas një përballje fizike ku viktima me pushkë ka kërcënuar birin e tij”, thuhet në raportin e policisë.
Për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Publike dhe me urdhër të tij, trupi është dërguar për autopsi. Gjatë mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, janë gjetur edhe pushkë e armë të tjera.