Dyshimet e përhapura pas arrestimeve të “miqve të Olsit”
Kush do ta ketë radhën pas “shokut të parë të Olsit” që u bë i madh dhe përfundoi në burg? Kjo pikëpyetje, duket si argument mjaft interesant, natyrisht edhe për të parë reagimet e njerëzve që kanë bërë biznes me këtë logjikë…
Rasti i Thoma Gëllçit, ish-drejtorit të RTSH-së, i cili ndodhet pas hekurave, i hetuar nga SPAK për një tender të kryer nga institucioni që drejtonte, ngriti në disa qarqe e media pranë opozitës, një frenezi pikëpyetjesh, që i kujtonin zyrtarit të arrestuar, miqësinë me vëllain e kryeministrit Edi Rama, që e ka njohur në SHBA, ku kanë qenë të dy emigrantë.
Siç ndodh në këto raste, opozita ka risjellë sërish në vëmendje akuzat ndaj Edi Ramës dhe vëllait të tij, që i artikuluar gjithë këto vite.
“A do të pyetet për Olsin”?!, “U arrestua miku i Olsit”, etj, ishin disa nga titujt të këtyre mediave, që u shoqëruan siç ndodh rëndom edhe me një rrëke sulmesh në rrjete sociale.
Por ndërkohë, ka nisur një lumë dyshimi dhe hamendësimi nga këto e qarqe të tjera, se po ndëshkohen ata njerëz që e kanë përdorur “miqësinë me Olsin” për të marrë pushtet e për të abuzuar me të.
E këto zëra, kanë shtuar bezdinë e Edi Ramës, që këto njerëz që përdorin influencën e miqësinë me familjarët e tij, do të duhet të ndëshkohen ashpër, madje më ashpër nga të tjerët.
Zërat, thonë pikërisht se ky rast që u shpall bujshëm është një fenomen, është një paralajmërim, është një veprim nga ata që quhet i “rëndë”
Rasti për të cilin Gëllçi sot është në burg, është një gallatë krahasuar me korrupsionin si fenomen. Ai është në burg, sepse ka pranuar të blejë pajisje për një kanal televiziv dy javë përpara se ti jepej leja nga AMA për ta hapur. Në dosje nuk se ka fakte të tjera, të paktën sipas zërave mediatikë që po e mbrojnë, e ndër ta më i zellshmi, Lutfi Dervishi.
Dervishi, ka një miqësi me Gëllcin, pasi ky i fundit i dha mundësinë e një “show politik” në “prime time” e RTSH. Disa vite më parë, një njeri afër Ramës i ka kërkuar Gëllçit që ta largojë Dervishin, por ky e mbajti. E në një farë mënyre, Lutfiu po i kthen reston, edhe pse e ilustron me logjikë parimore. Por nuk po futemi më thellë pasi kjo i takon një rasti më të gjerë.
Ka më shumë se një zyrtar, e emra të njohur që nëpër Tiranë krekosen se janë ose miq ose “ortakë” me Olsin, që në fakt ka shumë raste që e kanë përdorur më shumë se kanë qenë. E nuk ju ka ecur keq!
Por a kemi të bëjmë me një ngjarje, ku po e pësojnë “miqtë e Olsit”, ata që kanë dërdëllitur me vite këtë lidhje qoftë reale e qoftë të supozuar, për më shumë favore?!
Ja vlen të shikohet, veçse komentet e bëra pas rastit në fjalë, sikur ushqejnë një logjikë të tillë se kemi të bëjmë me një goditje të fortë ndaj atyre që kapërdisen si “miq” të familjarëve të kryeministrit.
Vetë Rama, ka qenë i ashpër kur i është dhënë rasti publikisht të flasë për këtë çështje, kur ka mbrojtur veten e familjen e tij, si të pandikuar e të papërlyer në punët e shtetit.
Po përse të tjerët e përmendin shpesh? Kush do ta ketë radhën pas “shokut të parë të Olsit” që u bë i madh dhe përfundoi në burg? Kjo pikëpyetje, duket si argument mjaft interesant, natyrisht edhe për të parë reagimet e njerëzve që kanë bërë biznes me këtë logjikë…