DREJTORIA E PËRGJITHSHME E POLICISË SË SHTETIT
DREJTORIA VENDORE E POLICISË FIER
Fier, më 24.01.2022
EKSTRAKT NGA ANALIZA E PUNËS SË DREJTORISË VENDORE TË POLICISË FIER PËR VITIN 2021.
I nderuar Z. Drejtor i Përgjithshëm!
Të nderuar Drejtorë të Departamenteve,
I nderuar Z. Prefekt i Qarkut Fier,
Të nderuar Drejtues të Prokurorisë Fier dhe Lushnjë,
I nderuar Drejtor i SHISH,
I nderuar Drejtor i SHÇBA,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar kolegë,
Ju falenderoj për pjesëmarrjen në takimin e sotëm për prezantimin e analizës 1-vjeçare të punës së DVP Fier për vitin 2021.
Gjatë vitit të kaluar puna e strukturave të policisë së qarkut Fier ka pasur si qëllim përmbushjen e vizionit për “Garantimin e një mjedisi të sigurt për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë nga rrisku i krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, duke siguruar jetën e individit, sipërmarrjen e lirë dhe respektimin e ligjshmërisë në tërësi.”
Fokusi kryesor i punës ka qenë:
Ulja e rriskut dhe ndikimit të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, nëpërmjet:
Goditjes së veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve;
Goditjes së trafiqeve të paligjshme;
Goditjes së krimit ekonomik e pastrimit të parave, etj
Mbrojtja e qytetarëve, institucioneve dhe ekonomisë
Rritja e forcës parandaluese ndaj rriskut të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda
Lufta për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër personit;
Marrja e mqsave për parandalimin e dhunës në familje;
Goditja e krimeve kundër mjedisit;
Rritja e sigurisë rrugore;
Rritja e performancës në punë të punonjësve të policisë dhe qasja me komunitetin, si dhe
Rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë qenë të angazhuara maksimalisht për të përmbushur prioritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit duke marrë masa për garantimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik, masa për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe monitorimi i masave për parandalimin e përhapjes së Covid, me qëllim krijimin e një ambienti social sa më të sigurtë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier, për vitin 2021, e orientoi punën e saj bazuar mbi strategjinë Ndërinstitucionale të Sigurisë në Komunitet duke ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët e Qarkut Fier.
•Gjatë këtij viti, janë evidentuar dhe referuar gjithsej 2369 vepra penale, zbuluar 2246 ose 94.8 % e tyre, me 2573 autorë, nga të cilët 773 arrestuar, 123 ndaluar, 1576 në gjendje të lirë dhe 101 të shpallur në kërkim. Krahasuar me vitin 2020, kemi 375 vepra penale më shumë dhe zbulueshmëri në masën 1.5% më shumë.
•Janë finalizuar 54 operacione policore që kanë goditur aktivitete të ndryshme kriminale, me 107 autorë, nga të cilët 91 autorë të arrestuar në flagrancë, 9 në gjendje të lirë dhe 7 në kërkim. Krahasur me vitin e kaluar, janë zhvilluar 30 operacione policore më shumë dhe janë arrestuar 45 persona më shumë.
•Një punë e mirë është bërë me goditjen e grupeve kriminale, ku në total janë goditur 5 grupe kriminale, 3 në fushën e narkotikëve, 1 në fushën e trafiqeve të paligjshme dhe 1 në fushën e krimeve ndaj personit.
•Në drejtim të veprave penale kundër personit, janë evidentuar gjithsej 34 vepra penale, 10 vepra penale më shumë se vitin e kaluar.
Ka pasur 10 vrasje, 8 të zbuluara;
Ka pasur 8 vrasje të mbetura në tentativë, të 8_a të zbuluara;
Ka pasur 14 plagosje të rënda me dashje, të 14_ta të zbuluara.
•Në drejtim të veprave penale kundër pasurisë, janë evidentuar gjithsej 183 vepra penale nga të cilat janë zbuluar 111 raste, ose 60.6% e tyre. Krahasur me vitin e kaluar, kemi rritje të zbulueshmërisë me 4.4% më shumë.
•Në drejtim të narkotikëve, gjatë vitit 2021 janë goditur 63 raste më shumë se një vit më parë, dhe është rritur zbulueshmëria me 1.9% më shumë se një vit më parë. Gjatë goditjeve janë sekuestruar 305.2 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 1.169 kg fara cannabis sativa, 217.33 gram lëndë narkotike kokainë dhe 163.4 gram lëndë narkotike heroinë.
•Në vitin 2021 ka pasur rritje të forcës goditëse kundër kontrabandimit të emigrantëve, me 3 raste më shumë se viti i kaluar.
•Gjithashtu, edhe në drejtim të krimit ekonomik janë goditur 56 raste më shumë se një vit më parë dhe rritje të zbukueshmërisë me 0.7% më shumë.
•Gjatë vitit 2021 janë kapur 147 persona në kërkim, 20 persona në kërkim më shumë se në vitin 2020., ku shumë nga këta persona ishin me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të dënuar për vepra penale të rënda. Janë kapur 7 persona të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar, 4 për grup të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve dhe 3 për vrasje.
•Në drejtim të goditjes së rasteve të armëmbajtjes pa leje, janë sekuestruar 13 armë zjarri automatikë, 9 armë zjarri pistoletë, 3 pushkë dhe 22 armë gjahu.
•Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike nëpërmjet kontrollit efikas të territorit, bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe aktorë të tjerë shtetëror dhe social, ka bërë që në vitin 2021 të ketë 24 raste të kultivimit më pak se një vit më parë.
•Në drejtim të dhunës në familje, sipas nenit 130/a të Kodit Penal, janë evidentuar gjithsej 142 vepra penale, të zbuluara 142, me 155 autorë, nga të cilët 74 janë arrestuar, 10 ndaluar, 71 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 4 janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu janë trajtuar me urdhër mbrojtjeje sipas ligjit, 396 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare për të cilët janë plotësuar kërkesë-paditë përkatëse, 95 raste më shumë krahasuar me vitin 2020.
•Përsa i takon Policisë Rrugore, janë evidentuar 461 vepra penale, zbuluar 448 ose 97.71% e tyre, me 267 autorë, nga të cilët 238 janë arrestuar, 5 të ndaluar, 206 të proceduar në gjendje të lirë dhe për 11 është bërë shpallja në kërkim.
Gjatë vitit 2021 kanë ndodhur gjithsej 25 aksidente rrugore me pasojë vdekjen e 28 personave. Krahasur me një vit më parë kemi 4 aksidente rrugore më shumë me pasojë vdekjen, si edhe kemi 97 të arrestuar dhe proceduar më shumë.
Gjatë këtij viti janë vendosur 37.647 masa administrative ose 5.435 masa më shumë se viti i kaluar. Janë pezulluar 643 leje drejtimi gjatë vitit 2021, ose 186 leje më shumë të pezulluara se një vit më parë.
•Janë trajtuar gjithsej 27.613 telefonata në Sallën e Komandimit dhe 2.142 informacione nga Komisariati Dixhital, si edhe janë gjeneruar në sistem 135.579 numra unik, me një diferencë prej 122.295 numra unik më shumë se viti i kaluar.
Për sa i përket vitit në vazhdim, përtej detyrave që rrjedhin nga ligji, Strategjitë dhe politikat e miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, do të punohet me përkushtim për të rritur cilësinë e punës, performancën e shërbimit dhe bashkëpunimin me komunitetin, si baza e suksesit të punës së policisë.
Ju faleminderit
# # #
























