Drejtimi institucional i Policisë së Shtetit dhe standardet e shtetit të së drejtës!
✍️ genc llakaj
Takimi ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe përfaqësuesit të lartë të policisë italiane, Lorenzo Bucossi, përforcon një bashkëpunim tashmë të konsoliduar në luftën kundër krimit të organizuar, duke e afirmuar atë si model referues në plan rajonal. Në këtë kontekst, parimi “pacta sunt servanda” merr një kuptim konkret institucional: marrëveshjet ndërmjet strukturave policore nuk mbeten në nivel deklarativ, por materializohen në veprime operative.
Megjithatë, rëndësia thelbësore e këtij zhvillimi lidhet edhe me profilin e drejtimit që po artikulohet në krye të Policisë së Shtetit në pak ditë.
Figura e Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita, po shfaq një standard të lartë të integritetit profesional dhe moral, të ndërthurur me një thjeshtësi funksionale që rrallë haset në nivele të tilla drejtimi. Në një realitet ku shpesh autoriteti vishet me formalizëm të tepruar, kjo qasje përfaqëson një kthim te thelbi: “non multa, sed multum” – jo shumë fjalë, por shumë përmbajtje.
Më bëri përshtypje prania e tij në terren gjatë ngjarjes së zjarrit, dy ditë më parë, në një objekt banimi në Tiranë – jashtë çdo ceremonialiteti dhe në bashkëveprim të drejtpërdrejtë me strukturat përkatëse – ky rast përbën një ilustrim të qartë të parimit të përgjegjësisë direkte. Këtu nuk kemi të bëjmë me një rol formal, por me ushtrim substancial të funksionit publik, ku “salus publica suprema lex esto” – siguria e publikut është ligji më i lartë.
Nga një këndvështrim juridik, një model i tillë drejtimi duhet të mbështetet mbi parime të panegociueshme të shtetit të së drejtës: respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, garantimin e prezumimit të pafajësisë (in dubio pro reo), ndalimin absolut të çdo forme keqtrajtimi dhe sigurimin e një procesi të rregullt ligjor (due process of law), ku roli i avokatit mbrojtës duheet të jet thelbësor dhe i pacënueshëm.
Megjithatë, çdo model drejtimi mbetet i kufizuar nëse nuk institucionalizohet.
Në këtë kuadër, është i vlefshëm një paralelizëm funksional: ashtu si Kryeministri, i cili mbi bazën e mandatit demokratik përzgjedh kabinetin për realizimin e objektivave strategjikë të qeverisjes, apo si një trajner futbolli që, ndonëse ka në dispozicion një grup të gjerë lojtarësh, përzgjedh vetëm 11 më të përshtatshmit për ndeshjen konkrete – ad hoc – në funksion të rezultatit, po kështu edhe drejtimi i Policisë së Shtetit kërkon një seleksionim racional dhe meritokratik të strukturave drejtuese.
Kjo nuk është çështje përjashtimi, por përputhjeje funksionale me vizionin.
Në këtë kuptim, Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, duhet të ndërmarrë një proces të kujdesshëm vlerësimi dhe përzgjedhjeje të drejtuesve në nivelet e qarqeve dhe komisariateve, duke ndërtuar një ekip që reflekton standardin e tij, mënyrën e “lojës” dhe etikën në terren.
Sepse, në fund, actus non facit reum nisi mens sit rea – përgjegjësia nuk lind vetëm nga veprimi, por edhe nga qëllimi dhe ndërgjegjja që e shoqëron atë.
Vetëm nëpërmjet një strukture të tillë koherente mund të realizohet transformimi i nevojshëm i Policisë së Shtetit në një institucion modern, ku autoriteti buron nga ligji dhe besimi publik, dhe jo aspak nga frika.
Për ta mbyllur, konstatoj se ky model drejtimi përfaqëson një standard të ri në administrimin e sigurisë publike. Në këtë frymë, i urojë dhe një herë Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita, suksese të mëtejshme në përmbushjen e këtij misioni, me bindjen se ky vizion do të konsolidohet në praktikë, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe qytetarit – “fiat justitia, ruat caelum”.
16-prill/2026













